Kryeministri pakistanez, Imran Khan pretendon se opozita është pjesë e “komplotit të financuar nga jashtë” për ta hequr atë nga pushteti.
Siguria e kryeministrit të Pakistanit, Imran Khan është rritur pasi agjencitë e sigurisë raportuan një komplot për vrasjen e tij, njoftoi sot ministri i Informacionit të vendit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Deklarata e Fawad Chaudhry vjen një ditë pasi ish-ministri Faisal Vawda doli me pretendime të ngjashme ku tha se jeta e Khan-it ishte në rrezik.
Vërejtjet vijnë në prapaskenën e votimit të mosbesimit kundër kryeministrit këtë fundjavë dhe pretendimeve nga Khan se SHBA-ja, aleati i vjetër i Pakistanit, ka kurdisur një komplot për ta rrëzuar atë për “politikën e tij të jashtme të pavarur”.
Ai ka fajësuar partitë e opozitës se janë “marioneta të fuqive të huaja”. Në një fjalim drejtuar kombit të enjten, Khan përsëriti se nuk do të tërhiqej, por do të kundërshtonte votën e mosbesimit.
“Më 7 mars morëm një letër nga Amerika. Mirë, le të mos përmendim asnjë vend. Morëm një letër nga një vend i huaj”, tha ai.
“Ishte një dokument zyrtar i bazuar në shënimet që ambasadori ynë mori gjatë një takimi me zyrtarë të atij vendi, i cili thotë se ne do ta kursejmë Pakistanin nëse Imran Khan shkon si rezultat i mocionit të mosbesimit. Përndryshe (Pakistani) do të duhet të përballet me pasojat”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield, i hodhi poshtë pretendimet në një konferencë për media duke thënë: “Nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë në atë pretendim”.
Më herët, Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Pakistanit dënoi komunikatën e supozuar, duke thënë se gjuha e përdorur ishte “e papranueshme” dhe “jodiplomatike”.
Organi më i lartë civil-ushtarak tha se komunikimi “përbëhej nga një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të Pakistanit nga vendi në fjalë, gjë që është e papranueshme në çfarëdo rrethana”.
Të enjten vonë, Ministria e Jashtme bëri një notë proteste zyrtare ndaj SHBA-së për letrën “kërcënuese”.
Opozita e kombinuar, e udhëhequr nga Partia Popullore e Pakistanit dhe Lidhja Muslimane e Pakistanit-Nawaz, paraqiti mocionin e mosbesimit ndaj Khan-it më 8 mars dhe votimi pritet të mbahet më 3 prill.
Partia në pushtet e Pakistanit, Tehreek-e-Insaf ka 155 anëtarë në Asamblenë Kombëtare prej 342 anëtarësh dhe ka nevojë për të paktën 172 deputetë për të mbetur në pushtet.
Përveç humbjes së mbështetjes së disa aleatëve, mbi 20 deputetë të Khan-it kanë njoftuar mbështetje për opozitën, e cila tani pretendon se ka shumicën në Dhomën e Ulët të Parlamentit dhe i ka bërë thirrje kryeministrit të japë dorëheqje./FolDrejt/