Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se do të thërriste zgjedhje të parakohshme parlamentare në korrik, disa orë pasi socialistët në pushtet pësuan pengesa të mëdha në zgjedhjet rajonale dhe lokale, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Në një deklaratë të transmetuar në televizionin kombëtar, Sanchez tha se kishte informuar mbretin e Spanjës Felipe, kreun e shtetit, për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 23 korrik dhe se një mbledhje e jashtëzakonshme e kabinetit do të mbahej më vonë gjatë ditës për të miratuar vendimin.
Partia Popullore konservatore shënoi një fitore dërrmuese në zgjedhjet e së dielës, duke mundur socialistët aktualë në një numër qeverish kyçe rajonale dhe të qytetit, duke përfshirë qeverinë rajonale të Valencias në lindje të vendit dhe bashkinë e Seviljes në jug.
Kujtojmë se në bazë të 95 për qind të votave të numëruara, në zgjedhjet lokale në Spanjë të mbajtura dje, Partia Socialiste në pushtet pësoi një disfatë të madhe ndaj Partisë Popullore (PP) konservatore. /FolDrejt/