Kryeministri italian, Mario Draghi, takimin e fundit të G7-tës e quajti “një sukses të vërtetë” dhe përsëriti se vendet e G7-tës (Grupi Shtatë) do të mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të ketë nevojë.
“Vendet tona kanë riafirmuar një kohezion të plotë dhe të madh, një pikëpamje të përbashkët në veçanti në lidhje me luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj”, tha Draghi në një konferencë për media në mbyllje të takimit të G7-tës në Schloss Elmau të Gjermanisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Draghi gjithashtu tha se sanksionet kundër Rusisë janë të “nevojshme për ta shtyrë atë në tryezën e negociatave”, duke shtuar se nuk do të ketë paqe nëse Ukraina nuk mund të mbrohet.
Kryeministri italian tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka përditësuar liderët e G7-tës mbi situatën në vend dhe ka sinjalizuar një deficit prej 5 miliardë euro në muaj.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi praninë e mundshme të presidentit rus, Vladimir Putin, në takimin e ardhshëm të G20-tës, Draghi tha se një “ndërhyrje nga distanca mund të jetë e mundur”, por se presidenti indonezian përjashtoi praninë e presidentit rus në takim.
Kryeministri italian po ashtu tha se një nga efektet e luftës ka qenë përforcimi dhe zgjerimi i mundshëm i aleancës së NATO-s në Suedi dhe Finlandë.
“Gjërat nuk shkuan saktësisht siç priste Putin”, tha ai, duke shtuar se megjithatë mbetet shumë vështirë të parashikohet kohëzgjatja e luftës./FolDrejt/