Kryeministrat e Japonisë dhe Kanadasë, ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë përballë ndikimit në rritje të Kinës në Indo-Paqësor.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, u takua me Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, në qytetin Ottawa, në të cilin ndodhet në kuadër të vizitës së vendeve të G-7, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dy kryeministrat në bisedë ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit për sigurinë mes Japonisë dhe Kanadasë përballë ndikimit në rritje të Kinës në Indo-Paqësor.
Trudeau dhe Kishida, ranë dakord gjithashtu që në Samitin e Liderëve të G7 që do të mbahet në maj në Hiroshima, të trajtojnë çështje të tilla si siguria e energjisë dhe ushqimit, çarmatimi bërthamor dhe ndryshimet klimatike.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Kishida deklaroi se “Kina është një çështje qendrore edhe për Japoninë edhe për Kanadanë” dhe shtoi më tej se do të kundërshtojnë përpjekjet për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo-në në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.
Ndërsa sipas agjencisë Associated Press, Trudeau është deklaruar se “Ndajmë një vizion për paqen dhe mirëqenien në të dy anët e Paqësorit”.
Në strategjinë e re të Indo-Paqësorit që njoftoi në nëntor, Kanadaja e cilësoi Kinën e cila ka rritur ndikimin e saj rajonal “si një fuqi globale që bëhet gjithnjë e më shkatërruese”./FolDrejt/