Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka reaguar pas deklaratës skandaloze të Presidentit Zoran Milanoviq që tha se Kosova është aneksuar nga Serbia, duke ia hedhur poshtë konstatimin e këtij të fundit, ndërsa e tha të kundërtën: “Kosova nuk është aneksuar nga asnjë shtet”, shkruan Fol Drejt.
“Askush nuk e ka aneksuar Kosovën sepse atëherë do ta aneksohej nga një shtet tjetër. Nuk e di konceptin e nxjerrjes (shkëputjes), në të drejtën ndërkombëtare” – ka thënë Plenkoviq.
Pas seancës së Kryesisë më të gjerë të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Plenkoviq tha se “është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend i pavarur me të cilin Kroacia ka marrëdhënie diplomatike”, transmeton televizioni rajonal N1.
“Ajo që është e rëndësishme është që Kosova është shtet i pavarur me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, se ministri ynë Davor Filipoviq ka qenë në Kosovë, duke ua mundësuar 50 biznesmenëve tanë, nënshkrimin e marrëveshjeve për investime atje.”
Palenkoviq e ka thumbuar presidentin Milanoviq duke thënë se ai “nuk është yll vetëm në mediat ruse por edhe në ato serbe”.
Deklarata e Milanoviq zgjoi debat edhe në Kosovë, por nga zyrtarët e lartë të shtetit, nuk pati ndonjë reagim.
Përndryshe Milanoviq deklaratën për Kosovën e dha gjatë një konference për media teksa foli mbi aktualitetin në Ukrainë, marrëdhëniet e Kroacisë me Serbinë, etj.
“Deri kur do ta kuptoni se Serbia dhe Rusia janë njësoj? Ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe një rrezik. Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u aneksua nga Serbia. Kush e bëri këtë pos nesh? A e njohëm ne Kosovën? Nuk është aneksim, por rrëmbim. Kjo nuk e vë në dyshim Kosovën, por të gjithë konceptin,” tha ai./FolDrejt/