Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë nderime te Parku Memorial “Të pagjeturit” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, kushtuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe, transmeton Fol Drejt.
Me këtë rast, ai vendosi lule të freskëta pranë kësaj pllake pikërisht në 80-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, të rrëmbyerin me dhunë nga forcat serbe, për të cilin edhe sot nuk dihet gjë për fatin e tij.
Kryeministri në vazhdimësi por edhe sot, përmendi e rikujtoi 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë për të cilët tha se kërkojmë të vërtetën, drejtësinë e përgjegjësi.
Lidhur me këtë, ai po ashtu njoftoi se Andin Hoti, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe njëherësh i biri i Ukshin Hotit, i ka dërguar edhe një letër Presidentit të Serbisë, me ç ‘rast kërkohet përgjegjësi.
“Përkitazi me këtë e duke u bazuar në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel në takimin e 2 majit, edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, i cili është edhe i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, të brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës”, tha kryeministri Kurti.