Në përvjetorin e 25-të të masakrës në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përkujtoi 23 të vrarët e familjes Deliu dhe tre dëshmorët e rënë më 26 shtator 1998.
Së bashku me Ministrat e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, Kryeministri Kurti bëri homazhe para varreve dhe vuri lule para përmendores së ngritur në nderim të tyre.
“Në këto varreza pushojnë të vrarët, në mesin e tyre të dy gjinitë dhe gjitha moshat, që sipas datëlindjeve, kanë qenë foshnje gjashtë muajshe, deri te pleq 94 vjeçar, të gjithë këta të vrarë nga këmbësoria. Këtu i është prerë barku edhe një gruaje shtatzënë e cila është mbytur bashkë me fëmijën e saj të palindur, ndërkaq Diturije Deliu ka qenë foshnjë e cila është gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës së vet”, tha kryeministri Kurti.
Teksa përkujtoi të vrarët civilë nga masakra e kryer nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Deliu, Kryeministri Kurti tha se këto janë fakte të pamohueshme të historisë sonë të dhimbshme, por edhe fakte të krimeve të kryera të Serbisë, të gjenocidit të Serbisë. Ai theksoi se konkretisht për këtë masakër nuk është akuzuar, gjykuar, e dënuar askush deri më sot.
Kryeministri Kurti tha se këto familje që na japin kurajo edhe neve me qëndresën e tyre kanë nevojë për mbështetjen tonë si shtet e si shoqëri. Ai theksoi se duhet që edhe organet e drejtësisë, e në radhë të parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që këta dëshmitarë të gjallë të këtyre familjarëve të vrarë në këtë masakër brutale e mizore, të kontaktohen e të bisedojnë në mënyrë që të kemi akuza, aktakuza dhe dënime ndaj atyre kriminelëve të pa shpirt.
Pas homazheve te varrezat e familjes Deliu, Kryeministri Kurti bëri homazhe te varret e dëshmorëve Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj. Kryeministri vuri lule te pllaka përkujtimore në nderim të kujtimit të dëshmorëve që ranë në betejën e 26 shtatorit 1998 duke mbrojtur popullatën civile.
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Bashkë me ministrat e Drejtësisë dhe Mbrojtjes, Albulena Haxhiu edhe Ejup Maqedonci, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, erdhëm këtu ku prehen 23 anëtarë të familjes Deliu dhe 11 anëtarë të familjes Muliqi në Abri të Drenicës me rastin e 25 – vjetorit të masakrës së tmerrshme e mizore që forcat armike serbe e kryen mbi popullsinë civile. Që të gjithë këta janë vrarë nga këmbësoria dhe në mesin e tyre të dy gjinitë dhe të gjitha moshat. Nga foshnja gjashtë muajshe e deri tek plaku 94 vjeçar.
Në mesin e të vrarëve janë edhe dy vajzat, Antigona dhe Mihanja, të cilat kanë qenë 14 dhe 16 vjeçare, e që janë vrarë pasi që janë dhunuar. Këtu i është prerë barku edhe një gruaje shtatzënë e cila është mbytur bashkë me fëmijën e saj të palindur, ndërkaq Diturije Deliu ka qenë foshnjë e cila është gjetur e gjallë në kraharorin me gjak të nënës së vet. Ndërkaq ka ndërruar jetë dy muaj më vonë, derisa po transferohej prej Likovcit në Tërdec, që të takojë për kontrollë ata që kanë qenë kujdestarë, një mjek të luftës asokohe.
Gjithashtu këtu është vrarë edhe motra e zëvendësministrit tonë, Blerim Gashani, Mihane Gashani bashkë me djalin e saj dy vjeçar, Valmirin.
Këto janë fakte të pamohueshme të historisë sonë të dhimbshme por, edhe fakte të krimeve të kryera të Serbisë, të gjenocidit të Serbisë, e konkretisht për këtë masakër teksa ne përkujtojmë 25- vjetorin e më të dashurve tanë, nuk është akuzuar, e gjykuar, e dënuar askush deri më sot.
Andaj, përveçse këto familje kanë nevojë për mbështetjen tonë si shtet e si shoqëri, përveçse këta na japin kurajo edhe neve me qëndresën e tyre, duhet që edhe organet e drejtësisë e në radhë të parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që këta dëshmitarë të gjallë të këtyre familjarëve të vrarë në këtë masakër brutale e mizore të kontaktohen e të bisedojnë në mënyrë që të kemi akuza, aktakuza dhe dënime ndaj atyre kriminelëve të pashpirtë.
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!