Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Prishtinë dhe Prekaz, në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, raporton Fol Drejt.
“Në shënim të 24-vjetorit të Ditës së Çlirimit, në kuadër të agjendës shtetërore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmanit-Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe pranë varrezave të ish-Presidentin Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi dhe familjes Jashari në Prekaz, si dhe bëri nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“Bashkë me Presidenten e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit, kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe duke bërë homazhe, humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe, këtu, kontributin e NATO-s”, tha kryeministri Kurti.
Ai në këtë datë të rëndësishme për shqiptarët, tregoi përuljen para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit, të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Tutje, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për NATO-n, kryeministri, 24 vite pas rikujtoi se ishte ndërhyrja e kësaj aleance, që ndaloi gjenocidin serb mbi popullin tonë.
“Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:
Pas çlirimit vjen paqja. Sot përkujtojmë dhe festojmë 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe vendosjen e paqes në vendin tonë, pra 12 Qershorin.
Bashkë me Presidenten e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit kujtuam duke vendosur lule të freskëta dhe duke bërë homazhe humanizmin e Rugovës, qëndresën e Demaçit, sakrificën e Jasharajve dhe, këtu, kontributin e NATO-s.
Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës. /FolDrejt/