Kryemistri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ministren e Drejtësisë, Albulena Hazhiu, dhe të shoqëruar nga deputetë të Kuvendit bënë homazhe në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, ku regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit vrau 147 shqiptarë, 6 prej të cilëve janë ende të zhdukur.
Pranë Memorialit të të vrarëve, Kryeministri Kurti tha se kjo masakër ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë politikë, policorë e ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë, përcjell Fol Drejt.
“Ata janë rrëmbyer si njerëz, si shqiptarë e më pastaj pas pushkatimit u janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë meqenëse 6 ende nuk dihet se ku janë, në Petrovo Sello dhe i kanë sjellë këtu, në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha nuk do ta harrojmë kurrë gjenocidin e Serbisë dhe se do të angazhohemi përjetë e vazhdimisht si institucione edhe si qytetarë për drejtësinë, për viktimat dhe familjet e tyre.
Kryeministri Kurti kujtoi edhe Mustafë Dragajn, i mbijetuar i masakrës, i cili pati dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës.
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, jemi këtu sot, që të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur.
Siç e tha edhe Presidentja, ata janë rrëmbyer si njerëz, si shqiptarë të gjallë e më pastaj pas pushkatimit u janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë meqenëse 6 ende nuk dihet se ku janë në Petrovo Sello, dhe i kanë sjellë këtu, në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre.
Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuar i masakrës, i cili pat dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar.
Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë politikë, policorë e ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë, të cilin ne nuk e harrojmë kurrë dhe për drejtësinë, për viktimat dhe familjet, që janë gjithashtu viktima dhe i gjithë populli, do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht edhe si institucione edhe si qytetarë./FolDrejt/