Në 18-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, të shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të freskëta te varri i tij.
Kryeministri tha se Presidentin Rugova e kujtojmë për rolin dhe kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile. Ai shtoi se si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.
Paraprakisht në mëngjesin e ditës së sotme, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministri Çeku, kishin vizituar familjen Rugova të cilën e njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova.
Deklarata e plotë për media e Kryeministrit Kurti pas homazheve:
Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, shkëlqesinë e saj, zonjën Vjosa Osmani Sadriu dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, i cili është edhe Presidenti i parë i Republikës së Kosovës kur republika ishte republikë për rezistencë ndaj okupimit dhe aparteidit të Serbisë në Kosovë, por edhe Presidenti i parë i Kosovës së çliruar.
Sot, në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezistencës civile.
Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, Presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallëkush tjetër ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore gjatë viteve të ‘90-ta.