Me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidencës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule të freskëta te varri i tij.
Duke e përkujtuar presidentin Rugova, të parin e Republikës së parë të Kosovës dhe të parin e Kosovës së çliruar, kryeministri Kurti tha se e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile, përcjell Fol Drejt.
Deklarata e plotë për media e kryeministrit Albin Kurti:
“Bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova. Presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, u shpreh Kurti./FolDrejt/