Në vazhdën e aktiviteteve me rastin e shënimit të 23- vjetorit të Ditës së Paqes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.
Duke kujtuar pranverën e vitit 1999, kryeministri Kurti tha se 19 shtete demokratike të Aleancës Veriatlantike u bënë bashkë dhe ndërhyn ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
“Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë, por më 12 qershor sipas kryeministrit Kurti është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjitet sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bën të mundshme që për çdo vit, e sot janë bërë 23 vjet, ne ta kremtojmë 12 qershorin si ditë të çlirimit e të paqes”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se sot, kujtojmë të gjithë të rënët, kujtojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë nga radhët e NATO-s e që kontribuuan shumë për çlirimin e vendit tonë e për lirinë e popullit tonë.
Përveç qytetarët e Republikës dhe shqiptarët mbarë, kryeministri uroi edhe të gjithë zyrtarët e pjesëtarët e NATO-s në Kosovë dhe jashtë saj.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Në pranverën e vitit 1999, 19 shtete demokratike të Aleancës Veriatlantike u bënë bashkë dhe ndërhyn ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovë.
860 mijë shqiptarë u patën dëbuar nga Kosova, 80 për qind të popullsisë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, 20 mijë gra e vajza, por edhe burra u patën përdhunuar nga forcat serbe, 13 mijë u vranë dhe 120 mijë shtëpi u shkatërruan, dogjën apo rrënuan.
Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë, por më 12 qershor është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjitet sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bën të mundshme që për çdo vit, e sot janë bërë 23 vjet, ne ta kremtojmë 12 Qershorin si ditë të çlirimit e të paqes.
Kjo është një ditë kur gëzimi dhe krenaria e mund dhembjen dhe pikëllimin tonë.
Kujtojmë të gjithë të rënët, kujtojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë nga radhët e NATO-s, që ose ranë në shërbim ose vdiqën ndërkohë e kontribuuan shumë për çlirimin e vendit tonë e për lirinë e popullit tonë.
Andaj, sot, teksa urojmë qytetarët e Republikës dhe shqiptarët mbarë, padyshim që urojmë edhe të gjithë zyrtarët e pjesëtarët e NATO-s në Kosovë dhe jashtë saj, duke dëshmuar me punën tonë të përditshme se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin serb e për ta shpëtuar popullin shqiptar, ia ka vlejtur shumë./FolDrejt/