Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në manifestimin tradicional “Zbulim i hershëm – Mbijetesë”, të organizuar në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, transmeton Fol Drejt.
Tetori, tha kryeministri Kurti, u kushtohet grave që luftojnë me vendosmëri për jetën, madje jetën e lumtur dhe jetën e gjatë, pra jetën e dinjitetshme. Tetori u kushtohet gjithashtu atyre grave të cilat i vetëdijësojnë edhe të tjerat gra dhe gjithë shoqërinë tonë, shtoi ai.
Si qeveri kemi siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e listës së barnave esenciale, ndër to edhe për trajtimin e personave të prekur me kancer të gjirit, tha Kryeministri Kurti.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, të 102-tën me radhë janë ndarë edhe 4.2 milionë euro shtesë. Kemi punuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për diagnostifikim ku edhe në buxhetin për vitin 2023 do të ketë investime shtesë në diagnostikë, por edhe në pako të veçanta për personat e prekur nga kanceri, shtoi ai.
Kryeministri shprehu solidaritet dhe mirënjohje të thellë për të gjitha ato gra e vajza të cilat u përballen me sëmundjen e rëndë të kancerit të gjirit e po vazhdojnë të përballen me të. Beteja, siç tha më tej kryeministri, është e përbashkët dhe ajo do të vazhdojë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në manifestimin tradicional “Zbulim i hershëm – Mbijetesë”:
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e juaj znj. Vjosa Osmani Sadriu,
E nderuara ish- presidente znj. Atifete Jahjaga,
E nderuara themeluese e shoqatës “Jeta Vita”, znj. Nafije Latifi,
Të nderuara ministre të Punëve të Jashtme e të Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla Schwarz dhe Albulena Haxhiu,
E nderuara ushtruese e detyrës së Ministrisë së Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha Bunjaku,
I nderuari kryetar i Shoqatës së Onkologëve, z. Arben Bislimi,
Të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,
Shumë të dashura ju luftëtaret e jetës që nuk u ndalët asnjëherë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Falënderoj Presidenten Osmani që na ka mbledhur sot këtu dhe në të njëjtën kohë falënderoj të gjitha ato e ata që punojnë pandalshëm në ndërgjegjësimin dhe trajtimin e kësaj sëmundje.
Tetori nënkupton muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit. Duke u shënuar në këtë formë, ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për zbulimin sa më të hershëm si dhe kujdesin për këtë sëmundje.
Tetori u kushtohet grave që luftojnë me vendosmëri për jetën, madje jetën e lumtur dhe jetën e gjatë, pra jetën e dinjitetshme. Tetori u kushtohet gjithashtu atyre grave të cilat i vetëdijësojnë edhe të tjerat gra dhe gjithë shoqërinë tonë. Secili prej nesh njohim shumë gra që vetë e kanë kaluar këtë sfidë, por vazhdojnë të flasin e ndihmojnë kështu edhe të tjerët, si të mbijetojnë e si të jetojnë duke e mundur këtë sëmundje.
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, mirëpo paraqitet edhe tek burrat, por me shkallë më të ulët të rrezikut 1 në 100 raste.
Këto shifra janë të mëdha por ne duhet t’i mbështesim institucionalisht edhe sikur të ishin vetëm disa. Fatkeqësisht nuk ka një formë të parandalimit por ka shumë mënyra të shërimit e të tejkalimit. Zbulimi sa më i hershëm i rrit shanset për jetë por edhe në cilëndo fazë zbulimi mund të shpresohet për sukses dhe rastet e tilla fatlume po rriten çdo ditë. Është tejet frymëzuese t’í shohim gratë nga të gjitha shtresat shoqërore që nga paciente të mbijetuara bëhen aktiviste me zell të kësaj kauze.
Solidariteti këtu është jetësor e mësim i madh për secilin prej nesh. Kjo na obligon edhe më shumë që të merremi të gjithë, të ofrojmë përkrahjen tonë të pakursyer si shoqëri e si institucione. Në këtë drejtim prej nesh pritet të bëjmë shumë dhe duhet të bëjmë shumë. Si qeveri kemi siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e listës së barnave esenciale, ndër to edhe për trajtimin e personave të prekur me kancer të gjirit.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, të 102-tën më radhë kemi ndarë edhe 4.2 milionë euro shtesë. Kemi punuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për diagnostifikim ku edhe në buxhetin për vitin 2023 do të ketë investime shtesë në diagnostikë, por edhe në pako të veçanta për personat e prekur nga kanceri.
Mbi të gjitha në këtë mision fisnik, nuk jemi vetëm ne si ekzekutiv, jemi bashkë me gjithë shoqërinë, duke filluar nga shoqatat e personave të prekur nga kanceri, me shoqërinë civile në përgjithësi, me institucionet, me Presidencën, Kuvendin, Kryeministrinë, ministritë, agjencitë e të tjera.
Nuk kanë munguar edhe aktivitetet që në shikim të parë mund të duken simbolike por në fakt janë shumë domethënëse, siç ishte ndriçimi i godinës së Qeverisë me simbolin rozë, ashtu edhe aktivistet e punëtoret shëndetësore që na ndriçuan neve duke na informuar me hollësi më të mëdha, se si ta ndihmojmë këtë kategori, si të punojmë me prioritet dhe çka është më së shumti e nevojshme.
Mirënjohja jonë është e thellë për të gjitha ato gra e vajza të cilat u përballen me sëmundjen e rëndë të kancerit të gjirit e po vazhdojnë të përballen me të. Beteja është e përbashkët dhe ajo do të vazhdojë. Ne do të jemi përkrahë tyre e me to./FolDrejt/