Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, njëherësh Kryesuesi i radhës i OSBE-së, Bujar Osmani, vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, raporton Fol Drejt.
“Atje, vizituan kadetët e gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës dhe të Shërbimit Korrektues, të cilët aktualisht po mbajnë trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Kjo vizitë sipas kryeministrit është falënderim për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kryesues i radhës i së cilës është pikërisht z. Bujar Osmani, si dhe falënderim për stafin e kadetët e rinj.”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“Ne vizituam tri klasë të ndryshme, ku kadetët e të dy gjinive dhe të të gjitha komuniteteve mësojnë bashkë, ushtrojnë bashkë, në mënyrë që bashkërisht t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, religjioni, prejardhjeje apo tjetër fare”, u deklarua kryeministri Kurti.
Kryeministri i ka përgëzuar kadetët për gatishmërinë që t’ju shërbejnë qytetarëve, si dhe ka përgëzuar Akademinë për diversitetin e kadetëve, në mesin e të cilëve përfaqësohen të gjitha komunitetet e Kosovës. Kjo është arritur përmes programit me komunitetet në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Ekipi Ndërinstitucional i themeluar vitin e kaluar nga Qeveria për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
“Përqindja e grave që kanë aplikuar në Policinë e Kosovës viteve të fundit është rritur deri në 18% ndërkaq, në thirrjen aktuale deri më tani kanë aplikuar mbi 180 qytetarë nga komunitetet jo shumicë. Kjo gjeneratë, pra gjenerata e 58-të, që ka filluar trajnimin në prill të këtij viti, ka gjithsej 421 kadetë prej të cilëve 1/5 janë nga komunitetet jo shumicë.”, thuhet tutj në njoftim.
Duke falënderuar ministrin Osmani për vizitën, ai shtoi se sundimi i ligjit, siguria, të drejtat e njeriut dhe demokracia, janë vlerat që bashkojnë Republikën e Kosovës dhe OSBE-në.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se vizita e tij në Kosovë në kapacitetin e kryetarit të radhës të OSBE-së për të shënuar produkte të suksesshme të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës, është pikërisht kjo Akademi për Siguri Publike, e cila plotëson të gjitha objektivat e OSBE-së.
Në këtë vizitë, përveç kryeministrit Kurti dhe ministrit Osmani, të pranishëm ishin edhe Zëvendësministri i Brendshëm, Blerim Gashani, Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në vendin tonë, Shpresa Jusufi, si dhe Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar gazetarë,
Ju faleminderit shumë që na keni ndjekur në këtë vizitë të rëndësishme me të cilën unë kam qenë bashkë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkëlqesinë e tij Bujar Osmani, si dhe me zëvendësministrin tim të Brendshëm, Blerim Gashanin dhe shkëlqesinë e saj, Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në vendin tonë, znj. Shpresa Jusufi, si dhe me Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, Michael Davenport.
Kjo vizitë në Akademinë e Kosovës në Siguri Publike, është falënderim për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Kryesues i radhës i së cilës është pikërisht, z. Bujar Osmani. Por, në të njëjtën kohë është edhe falënderim për stafin këtu, për kadetët e rinj.
Ne vizituam tri klasë të ndryshme, ku kadetët e të dy gjinive dhe të të gjitha komuniteteve mësojnë bashkë, ushtrojnë bashkë, në mënyrë që bashkërisht t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, religjioni, prejardhjeje apo tjetër fare.
Sundimi i ligjit, siguria, të drejtat e njeriut, demokracia, janë vlera që na bashkojnë. I ka edhe OSBE-ja edhe Republika e Kosovës, e natyrisht që këto konkretizohen në çdo aktivitet tonin zyrtar e publik dhe në çdo projekt të përbashkët, të cilin e zbatojmë.
Faleminderit edhe njëherë shumë z.Osmani për këtë vizitë tuajën. /FolDrejt/