Bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi Rektoratin e Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina” ku u pritën dhe u takuan me Rektorin Qerim Qerimin dhe menaxhmetin e Universitetit, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci u njoftuan për punën dhe sfidat e këtij institucioni dhe i njoftuan menaxhmentin e tij për punën dhe veprimet e ndërmarra deri tani me qëllim përmirësimin e arsimit të lartë. Theks iu dha Projektligjit për Arsimin e Lartë që tashmë është miratuar në Qeveri dhe avancimeve që ai parasheh në sigurimin e integritetit akademik.
Në takim u diskutua edhe për suksesin e shënuar sa i përket numrin të citimeve sipas platformës Cybermetrics Lab, procesin e digjitalizimit të shërbimeve dhe proceseve administrative dhe përfaqësimin e grave në fushat STEM.
Sipas matjeve të fundit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka regjistruar një total prej 56518 citimesh në “Google Scholar Citations” që shënon rritje prej 12288 citimesh nga publikimi i fundit i bërë në korrik të vitit të kaluar. Universiteti i Prishtinës vazhdon të prijë si universiteti me rangim më të lartë në rajonin shqipfolës.
Sa i përket digjitalizimit, Rektori Qerimi u shpreh se ai dhe menaxhmeti janë të orientuar kah digjitalizimi i proceseve administrative të Universitetit. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti theksoi se transformimi digjital i sjellë dobi ekonomisë dhe administratës dhe se digjitalizimi i proceseve administrative garanton llogaridhënie, cilësi në shërbime dhe transparencë.
Sipas menaxhmentit, viteve të fundit është shënuar rritje e përfaqësimit të grave në fushat STEM dhe se bursat e MASHTI-t për këto fusha kanë pasur efekt pozitiv në motivimin e studenteve. Përqindja e vajzave që studiojnë inxhinieri kompjuterike dhe shkenca kompjuterike në Universitetin e Prishtinës ka arritur mbi 60%.
Kryeministri Kurti e falënderoi për angazhimin, e uroi për pozitën e re dhe i dëshiroi punë të mbarë Rektorit Qerimi dhe menaxhmetit në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për Universitetin e Prishtinës i cili vazhdon të ketë rëndësi të madhe në emancipimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga këshilltari i tij politik për Teknologji të Informacionit, Lulëzon Jagxhiu, ndërkaq ministrja Nagavci ishte e shoqëruar nga këshilltarja e saj politike për Arsim të Lartë, Arrita Gola.