Në prag të përfundimit të vitit 2023, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rzivanolli, sot vizitoi për fundvit Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës”. Në këtë vizitë ata u pritën nga Kryeshefja Ekzekutive, Burbuqe Hana, bashkë me menaxhmentin e lartë të Telekomit dhe anëtarët e tjerë të bordit.
Pas vizitës dhe takimit me Kryeshefen dhe Menaxhmentin e lartë dhe Bordin, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka disbursuar Telekomit një Kredi prej 20 milionë eurosh ku janë bërë pastaj investime të mëdha në teknologji në bërthamë të telefonisë mobile me pajisjet përcjellëse si dhe me BTS Antenat shtesë, sidomos në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit.
“Është inspiruese të shohim se si një kompani publike me humbje dhe pa investime prej afërsisht një dekade, sot Telekomi investon në shërbime të telefonisë mobile (Vala) dhe ato fikse (internet e TV)”, tha kryeministri.
Ai theksoi se Telekomi i Kosovës ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në shërbimet e tij, me zgjerimin e mbulimit me shërbime mobile edhe në akse rrugore edhe në vendbanime. Po ashtu, shërbimet fikse janë zgjeruar në zona të rëndësishme si stacionet policore dhe ndërmarrjet publike. Në muajt e parë të vitit 2024, pritet të shihen ndryshime thelbësore në zonën e Mitrovicës.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Kurti veçoi dy projektet më të mëdha zhvillimore të Telekomit të Kosovës të cilat kanë filluar në vitin 2023 dhe si të tilla përfshijnë modernizimin e plotë të rrjetit mobil dhe mbulimin e plotë me teknologjinë 4G+ dhe me 5G, me anë të së cilave pas 6 muajve të ardhshëm do të kenë mbulueshmëri të plotë me 4G+ dhe më pas do të vazhdohet menjëherë me 5G.
Ai foli edhe për zgjerimin e rrjetit të kabllove optike në tërë vendin e cila do të përfundojë deri në vitin 2025.
Në fund sqaroi se bashkë do të vazhdojnë të krijojnë një mjedis telekomunikativ më të përparuar dhe inovativ për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Në përmbyllje, shtoi se si “Qeveri e Kosovës, jemi krenarë për këtë angazhim dhe përformancë të Telekomit”.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kishim një vizion të qartë se ku do të arrijmë dhe një bindje të thellë që mund të arrijmë aty relativisht shpejtë me një punë dhe përkrahje të Qeverisë.
Ministrja Rizvanolli theksoi se Telekomi i Kosovës tregon edhe një herë se jo vetëm për vete por me investimet e saj po jep rezultate indirekte në ekonominë e vendit dhe në punësim.
Ajo u shpreh se është e lumtur edhe për përformancën financiare të Telekomit, jo vetëm për përformancën si të tillë si një rezultat në vete mirëpo për përformancën financiare si një burim i investimeve të vazhdueshme të cilat do të ndodhin edhe gjatë viteve të ardhshme.
Ajo që vlen të theksohet është se tashmë ka përfunduar procesi i prokurimit për stacionet e reja që do të thotë se deri në mes të vitit të ardhshëm i tërë territori i Kosovës, do të jetë i mbuluar me rrjet 4G+ dhe do të fillojë në zonat më të banuara edhe ofrimi i shërbimit 5G.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar gazetarë,
Ju faleminderit shumë që keni ardh në këtë konferencë për medie këtu në Telekomin e Kosovës. Unë jam bashkë me kryeshefen dhe ministren e Ekonomisë.
Me ç’rast zhvilluam një takim me menaxhmentin e lartë dhe me bordin e kompanisë.
Para gati dy viteve kemi qenë këtu me Ministren Rizvanolli dhe Ministrin Murati. Dhe që nga ajo kohë janë bërë ndryshime shumë të mëdha që të gjitha për të mirë dhe ajo ka qenë kohë e përballjes me sfida shumë të mëdha të teknologjisë, të padive e të arbitrazhit.
Ne i premtuam mbështetje të parezervë bordit dhe menaxhmentit që ta vazhdojmë rimëkëmbjen e ndërmarrjes.
Tash, më pak se dy vite më vonë, po festojmë këtë vit të ri duke parë rezultatet e ndjeshme në të gjitha drejtimet.
Të gjithë e dini që Qeveria e Republikës së Kosovës i ka disbursuar Telekomit një Kredi prej 20 milionë eurosh edhe këtu janë bërë pastaj investime të mëdha në teknologji në Centralin pra në bërthamë të telefonisë mobile me pajisjet përcjellëse si dhe me BTS Antenat shtesë sidomos në rajonin e Ferizajt dhe të Gjilanit.
Telekomi ndërkohë ka dalë në fitim, ato mjete po përdoren edhe për vazhdimin e mbulimit të Kosovës me rrjet të ri.
Është shënuar përmirësim i ndjeshëm në shërbime, me zgjerimin e mbulimit me shërbime mobile edhe në akse rrugore edhe në vendbanime. Po ashtu, shërbimet fikse janë zgjeruar në zona të rëndësishme si stacionet policore dhe ndërmarrjet publike. Në muajt e parë të vitit 2024, pritet të shohim ndryshime thelbësore edhe në zonën e Mitrovicës.
Nga ana tjetër, duke u nisur nga humbjet që nga viti 2015, sivjet Telekomi i Kosovës ka arritur një fitim neto prej 5.9 milionë euro gjatë periudhës janar-nëntorit të vitit 2023, duke vazhduar një trend rritjeje vit pas viti. Një rritje prej 5% në të hyra, e shoqëruar me reduktim të shpenzimeve operative, tregon për një menaxhim të zgjuar me përkushtim ndaj modernizimit të rrjetit mobil, rrjetit fiks dhe të sigurisë së rrjetit.
Është inspiruese të shohim se si një kompani publike me humbje dhe pa investime prej afërsisht një dekade, sot Telekomi investon në shërbime të telefonisë mobile (Vala) dhe ato fikse (internet e TV).
I gjithë ky fitim do të kthehet në investime teknologjike për modernizim të rrjetit mobil, rrjetit fiks dhe sigurisë së rrjetit. Synimi është që Telekomi të shtrihet në të gjithë vendin, duke ofruar shërbime cilësore për qytetarët, bizneset dhe institucionet, për çfarë e ka përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mënyrë të plotë e të vazhdueshme.
Është bërë edhe reduktimi i shpenzimeve operative me rreth 7% që tregon përkushtim ndaj efikasitetit të menaxhmentit të përgjegjshëm, edhe të gjitha obligimet e kompanisë janë paguar në kohë.
Një pjesë e rëndësishme e këtij suksesi është edhe implementimi i procesit të ristrukturimit dhe rekrutimit me dinamikë optimale, duke respektuar të gjitha procedurat e parapara.
Dy projekte më të mëdha zhvillimore të Telekomit të Kosovës të filluara në vitin 2023 përfshijnë modernizimin e plotë të rrjetit mobil dhe mbulimin e plotë me teknologjinë 4G+ dhe me 5G, ku pas 6 muajve të ardhshëm do të kemi mbulueshmëri të plotë me 4G+ dhe do të vazhdohet menjëherë me 5G. Ndërkaq zgjerimi i rrjetit të kabllove optike në tërë vendin do të bëhet përgjatë 2024-shit dhe 2025-shit.
Telekomi i Kosovës ka bërë një transformim të shkëlqyer, edhe organizativ e strukturor, edhe produktiv e cilësor, duke treguar se përkushtimi ndaj inovacionit dhe shërbimeve cilësore është thelbësor. Obligimi jonë karshi qytetarëve dhe publikut, që është edhe mision i Telekomit është që qytetarët edhe territori të mbulohen me shërbime të disponueshme e të përballueshme.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi krenar për këtë angazhim dhe performancë të Telekomit, për çfarë e përgëzoj kryeshefen Burbuqe Hana, dhe në të njëjtën kohë zotohem që bashkë edhe me ministren Rizvanolli, edhe me ekipin menaxhues të Kryeshefes dhe Bordin e Telekomit do të krijojmë një mjedis telekomunikativ më të përparuar dhe inovativ për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Ju faleminderit.