Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ka mbajtur konferencë për media, ku ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë, i rrëmbimit të tre policëve brenda territorit të Kosovës, ishte veprim agresor.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer dhe ftojmë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, tha kryeministri Kurti.
Ai tutje tha se është e çuditshme se si faktori ndërkombëtar po hesht ndaj veprimeve të Serbisë.
“Serbia nuk ka ndryshuar me qëllime, motive e apetite nuk është se po na befason me sjelljen e saj. Ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destablizim. Rrëmbimi i tre policëve është dëshmia më e qartë për këtë”, ka thënë kryeministri Kurti, transmeton Fol Drejt.