Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK).
Nga kjo vizitë, Kurti dhe Vitia kanë takuar drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi, dhe drejtorin e Shërbimeve të Përbashkëta Teknike dhe Administrative, Mentor Zejnullahu, përcjell Fol Drejt.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti ka shprehur kënaqësinë e tij për rezultatet dhe kontributin e shtuar të ShSKUK-së gjatë kësaj periudhe dhe ka deklaruar gatishmërinë e Qeverisë për të mbështetur plotësisht përmbushjen e objektivave të ardhshëm.
“Në këtë takim, krahas hartimit të statutit të ri të ShSKUK-së dhe QKUK-së që do të avancojë edhe më tej shërbimet shëndetësore, kryeministri Kurti u njoftua rreth punës në drejtim të përmirësimeve të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, projekteve të reja të cilat planifikohen të realizohen, sa i përket ndërtimit dhe renovimit të disa klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe investimeve në spitalet e përgjithshme regjionale me qëllim të rritjes së performancës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, gjatë takimit ka prezantuar një analizë të gjendjes infrastrukturore, burimeve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore në klinikat QKUK dhe spitalet e përgjithshme.
Gjithashtu, është diskutuar rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar me ekspertë të huaj, veçanërisht në degët me mungesë të stafit mjekësor, me qëllim të përfitimit nga përvoja e vendeve me sisteme shëndetësore të avancuara.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për ngritjen e trupave profesionale dhe konsiliumeve mjekësore në klinikat e ShSKUK-së, si dhe për implementimin e mekanizmave monitorues për të siguruar një punë të rregullt dhe të efektshme në institucionet shëndetësore./FolDrejt/