Me rreshtimin kundrejt një zhvillimi të madh ndërkombëtar, Albin Kurti tha se e ka betonizuar edhe më shumë një qëndrim vendor.
“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do të tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund, për neve”, u shpreh ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, të dielën, njofton Klan Kosova.
Kryeministri vlerësoi se i rezistoi edhe projektit për shkëmbim territorial, në mandatin e tij të parë, ani se të shkurtë, për çka e akuzoi Lidhjen Demokratike.
“Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore dhe kombëtare”, shtoi ai.
Qeverive të kaluara ua kontestoi edhe largpamësinë, pasi i ra ta përmend ish-shefin e deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që ndodhet në Hagë, i akuzuar për krime lufte.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe është e drejtë, andaj ajo do të dalë e pastër edhe nga gjyqet e imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, deklaroi Kurti.
Në mbledhjen e caktuar për emërimin e kryesisë së re, shefi qeveritar e partiak tha se VV ka bërë punë të mëdha në qeverisje qendrore. Mirëpo pranon se nuk arriti njësoj në një garë tjetër.
“Performanca në zgjedhjet lokale sa i përket komunave që udhëheqim”, ishte vetëkritika e kreut të VV-së.
Kurti tha se në tri vjetët e fundit partia në pushtet e ka dyfishuar anëtarësinë, derisa i thirri aktivistët të veprojnë me plane e interesa afatgjatë.