Kryeministri Albin Kurti, tha se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq gjatë muajit dhjetor.
Kryeministri theksoi se Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë gjithmonë të përkushtuara, konstruktive dhe kreative, por sipas tij, nga sulmi terrorist në Banjskë prioriteti i Kosovës është siguria.
“Si kryeministër, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë gjithmonë të përkushtuara, konstruktive dhe kreative, por nga sulmi terrorist në Banjskë, prioriteti i Kosovës është siguria. E siguria është siguria e kufijve. Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa siguri, e siguria nënkupton që kriminelët nuk duhet të jenë të lirë siç po ngjanë në Serbi”, deklaroi Kurti nga Gjilani.
Takimi i fundit në Bruksel i Kurtit me krerët e BE-së në kuadër të dialogut ishte më 26 tetor.
Ai nuk ka pranuar që të komentojë rezultatin e zgjedhjeve në Serbi dhe mundësi që shqiptarët të fitojnë ndonjë mandat në Kuvend, por që tha se ndihmat për shqiptarët atje nuk do të mungojnë nga 2 milionë sa ishte këtë vit, 3 milionë euro do të ndahen vitin tjetër.