Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendës ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder bënë sot homazhe dhe vendosen lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tha se sot kujtojmë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe mësimin e mësuar nga kjo ngjarje me jehonë pikëprerëse në histori, përcjell Fol Drejt.
Nga sulmet e asaj dite vdiqën gjithsej 2977 persona, mes të cilëve edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj.
Atë kohë, administrata amerikane e Presidentit George W. Bush, ishte zotuar që terrorizmi kurrë nuk do të ngadhënjejë. Më shumë se dy dekada prej atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i prijnë luftës globale kundër terrorizmit, kurse shumë vende mes të cilave edhe Republika e Kosovës, është rreshtuar në këtë luftë të përbashkët./FolDrejt/