Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Fondin Sovran, me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit prej kur është propozuar për herë të parë ky fond, transmeton Fol Drejt.
Sipas Kurtit, 170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000.
“Këtë muaj janë bërë fiks gjashtë vjet prej kur për herë të parë dhamë propozimin e bashkë me të edhe zotimin për Fondin Sovran. Prej atëherë, ai ka qenë pjesë e secilës platformë tonë zgjedhore, përfshirë edhe programin qeverisës të Qeverisë Kurti 1.
Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare. “, është shprehur kryeministri Kurti.
“170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global.
Të dielën e 7 majit, në bashkorganizim me FES mbajtëm konferencën për themelimin e Fondit Sovran. Projektligji që tashmë ka kaluar edhe konsultimet publike, shpejt do të miratohet në Qeveri. Sot në sallën 506 të mbushur plot, para deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistë e ekspertë të pavarur, së bashku me anëtarë të kabinetit të qeverisë, e përkrah anëtarëve të grupit punues për hartimin e koncept-dokumentit, në krye me profesorin Besnik Pula dhe grupin punues juridik të drejtuar nga koordinatorja Rrezarta Pllana, prezantuam e diskutuam për atë që do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik.”, ka shtuar tutje Kurti./FolDrejt/