Pas raportimeve ditët e fundit për një djegie tjetër të një veture me targa RKS në veri, e pesta me radhë, kas pasur reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare, me ç’rast ka reaguar vetë Borrell.
E siç bën me dije kryeministri Kurti, ka qenë vetë ky që i ka kërkuar Borrellit të dënohet djegia e veturave në veri.
““I kam kërkuar Borrellit ta dënojë djegien e veturave në veri të Kosovës. Kjo është bërë nga kriminelët të cilët janë të organizuar në struktura të ndryshme, por e përbashkëta e të gjitha këtyre strukturave është se Beogradi i dirigjon dhe i financon”, ka deklaruar kryeministri Kurti në prononcimin për media pas Samitit të Berlinit.
Ai tutje është shprehur se duan paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke u shprehur njëkohësisht se Kosova është shtet i pavarur që ka ligjet dhe Kushtetutën e vet.
“Ne duam paqe dhe siguri për krejt qytetarët dhe shteti i Republikës së Kosovës është shtet i pavarur që ka sundim të ligjit dhe Kushtetutën e vetë. Por e dimë që në veri të shtetit tonë është Serbia, ku nuk ka as demokraci e as vlera proevropiane për shkak se Beogradi, në të vërtetë ka marrë anën e Kremlinit dhe presidentit Putin i cili e ka ndërmarrë sulmin e tmerrshëm ndaj Ukrainës”.
“Atje, pos krimeve të ndryshme të luftës, në njëfarë mënyre Putin po dëshiron ta sulmojnë gjithë rendin evropian dhe euroatlantik i cili nuk është vetëm rend i sigurisë e paqes por edhe i demokracisë dhe lirisë, të atillë çfarë ne i njohim”, ka thënë kryeministri Kurti./FolDrejt/