Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall kanë zhvilluar sot takimin lamtumirës, me rastin e përfundimit të mandatit të ambasadores.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Finlandës. Kryeministri dhe ambasadorja theksuan potencialin e bashkëpunimit në mes dy shteteve për zhvillimin social dhe ekonomik, transmeton Fol Drejt.
Ambasadorja Stjernvall shprehu vlerësimin e saj për bashkëpunimin me qeverinë dhe i dëshiroi kryeministrit rezultate të mira në qeverisjen e tij. Ajo përsëriti gatishmërinë e Finlandës për t’i ofruar ndihmë shtetit të Kosovës në ngritjen e kapaciteteve për arritjen e objektivave.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e pareshtur që shteti i Finlandës i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj. Ai u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin përgjatë gjithë mandatit të saj në Kosovë. Ambasadores i uroi suksese të mëtutjeshme në angazhimet e saj të radhës, duke ia rikujtuar se gjithmonë është e mirëseardhur në Kosovë./FolDrejt/