Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar përmes një shkrimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook për sulmin e bandave kriminale serbe ndaj kameramanëve dhe gazetarëve që ishin sot të pranishëm në veri të Kosovës.
“Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti.
Ai ka treguar se disa nga gazetarët që ishin në veri të Kosovës kanë pësuar lëndime të ndryshme.
“Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu”, ka thënë ai.
Tutje, kryeministri Kurti i ka uruar shërim të shpejtë kameramanëve dhe gazetarëve, si dhe i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të mbajnë qëndrim dhe të mbështesin institucionet e Kosovës.
“Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”, ka shtuar tutje Kurti, transmeton Fol Drejt.