Kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e sotme të qeverisë duke folur për vizitën e 50 afaristëve gjermanë në Kosovë e ku s’e la pa përsëritur se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon.
“Mëngjesin e sotëm së bashku me ministren për Ekonomi Artane Rizvanolli dhe me ministren për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Rozeta Hajdari pata kënaqësinë e veçantë të takoj dhe bashkëbisedoj me një grup prej 50 ndërmarrësish nga Gjermania të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë. Ne kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon, po ashtu kemi edhe demokracinë më cilësore në rajon. Në Kosovë kemi fuqi punëtore të re dhe të talentuar, si dhe e kemi më mërgatën më patriotike”.
Kurti deklaroi se investimet e huaja direkte po shtohen në Kosovë, derisa thotë se një nga arsyet për këtë është stabiliteti institucional dhe puna e mirë e qeverisë që drejtohet nga ai, shkruan Klankosova.tv, përcjell FolDrejt.
“Kur kësaj ia shtojmë stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, ambientin gjithnjë e më miqësor për bizneset dhe indikatorët pozitivë ekonomikë pa dyshim se këto e shndërrojnë vendin tonë në një vend ku ia vlen të investohet. Investimet në vendin tonë tashmë po vijnë e po shtohen. Krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 kemi pasë rritje të investimeve të huaja direkte prej 22 %. Rritja e eksporteve ishte për mbi 83 % e të hyrave tatimore për 34 %, ndërkaq rritja e investimeve kapitale në vitin 2021 krahasuar para tij, atë 2020, ishte për 10.3 %. Në këtë vit e kemi rritjen e buxhetit, krahasuar me vitin 2020, prej më shumë se çerekun – rreth 26 %. Krahasuar me vitin paraprak kemi rritje të buxhetit prej 9 % ndërkaq me rishikim prej 15 %”.
“Ndërkohë po ecim përpara me reformat në drejtësi dhe ekonomi siç është krijimi i Gjykatës Komerciale. Po ecim përpara edhe me nisma të tjera që kanë për qëllim promovimin e Kosovës dhe një të tillë do ta shqyrtojmë edhe sot në mbledhjen e qeverisë – anëtarësimi i Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, përkatësisht aderimi në Konventën e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Republikës së Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore e kulturore, potencialeve ekonomike dhe avantazheve për investime në vendin tonë”./Klankosova.tv/