Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se duhen normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ka shprehur njëkohësisht edhe përkushtimin e tij për dialog.
“Duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, por jo për statusin e Kosovës. Pra bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve, dhe ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative me njohjen e ndërsjellë në qendër të saj”, është shprehur kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar se është i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ në procesin e dialogut, derisa ka theksuar se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga e tashmja e Putinit.
“Jam absolutisht i përkushtuar, konstruktiv e kreativ në gjithë procesin e dialogut. Nga ana tjetër, besoj që Serbia duhet të distancohet së pari edhe nga e kaluara e Millosheviqit dhe nga e tashmja e Putinit, sepse kjo do të na ndihmonte shumë të gjithëve për të arritur marrëveshjen, për t’i dhënë drejtësi viktimave, dhe për ta arritur marrëveshjen e pajtimit për gjeneratat që do të vijnë”, ka shtuar kryeministri Kurti./FolDrejt/