Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’ia mësyjë sërish kryeqendrës evropiane. Ai javën e ardhshme në Bruksel pritet të ketë një darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor. Ky takim joformal, i ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell konsiderohet i dobishëm në përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale mes shteteve.
Megjithëse ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, i njëjti nuk pritet t’i paraprijë rifillimit të dialogut. Ndërkohë, vizitat e shpeshta në Bruksel të Kurtit, opozitarët po i shohin si heqje dore nga gjitha kauzat politike të tij sa ishte në opozitë.
Takimin e 18 majit në Bruksel për KosovaPress e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu.
Ai thotë se ky takim nuk do t’i paraprijë rifillimit të dialogut, por vetëm do t’i shërbejë komunikimit dhe diskutimit të të gjithë liderëve të rajonit me BE-në, për interesat e përbashkëta.
Kryeziu: Është mundësi e mirë mbi marrëdhëniet bilaterale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE.
Mirëpo vizitat e shpeshta të këtij lloji, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa po i sheh në kundërshtim me prioritetet e vendosura të kryeministrit Kurti.
Beqa: Kurti ka hequr dorë nga gjitha kauzat
“Shumicën e kauzave që ka pasur zotëri Kurti për me ardh në pushtet kanë qenë kauza të rrejshme. Tash po e shohim se nga të gjitha kauzat ka hequr dorë, nuk e di cilën kauzë që ka mbajtur, sa ishte në opozitë…. 3:21 Nuk kam pa një seriozitet të zotëri Kurti sa i përket dialogut dhe e shoh si disa tentativa të rrezikshme për vendit, sepse Kosova nuk po del e përgatitur para faktorit ndërkombëtar dhe nuk po ka një unitet të brendshme”, deklaron ai.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Kurti në Bruksel prej kur ka marrë detyrën në mars të këtij viti.