Pas mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë për media ka ngritur lart punët e qeverisë që udhëheq, duke thënë se është e vetmja qeveri e cila me veprime konkrete ligjore po rivendosë barazinë dhe po rritë mirëqenien sociale, transmeton Fol Drejt.
“Barazia dhe mirëqenia janë parime bazë të Kushtetutës sonë, mirëpo veçanërisht e mbi të gjitha, ato janë shtylla kryesore të Programit tonë Qeverisës, si dhe parime të punës sonë si Qeveri.
Patëm premtuar ringjallje ekonomike pas pandemisë COVID-19 nëpërmjet intervenimeve me masa për rritjen e likuiditetit tek amvisëritë, dhe me mbështetjen e atyre që kanë nevojë më së shumti për dorën e shtetit. Këtë e bëmë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ku ndërmorëm një varg masash për mbështetje direkte të grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si dhe mbështetje për familjet, ashtu që barra financiare e krizave të njëpasnjëshme të lehtësohet.
Premtuam rritje të mirëqenies sociale për të gjitha familjet në nevojë, e rritëm asistencën sociale, e ndër të tjera, i mbështetëm edhe përmes punësimit të garantuar për nga një anëtar të familjes. Skema e punësimit “Qeveria për Familjet”, e prezantuar në po të njëjtin muaj, por një vit më parë, parasheh skemë të subvencionimit të pagës për anëtarin e familjes i cili punësohet, duke garantuar kështu punësimin e së paku një anëtari të familjes. Pra, asnjë familje në Kosovë, pa asnjë të punësuar ka qenë zotimi ynë në dimrin 2020-2021. Tashmë, nga kjo skemë, kemi mbi 1.500 familje që e kanë një anëtar të familjes të punësuar.”, ka thënë ndër tjerash kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti para mediave:
“Barazia dhe mirëqenia janë parime bazë të Kushtetutës sonë, mirëpo veçanërisht e mbi të gjitha, ato janë shtylla kryesore të Programit tonë Qeverisës, si dhe parime të punës sonë si Qeveri.
Patëm premtuar ringjallje ekonomike pas pandemisë COVID-19 nëpërmjet intervenimeve me masa për rritjen e likuiditetit tek amvisëritë, dhe me mbështetjen e atyre që kanë nevojë më së shumti për dorën e shtetit. Këtë e bëmë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, ku ndërmorëm një varg masash për mbështetje direkte të grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si dhe mbështetje për familjet, ashtu që barra financiare e krizave të njëpasnjëshme të lehtësohet.
Premtuam rritje të mirëqenies sociale për të gjitha familjet në nevojë, e rritëm asistencën sociale, e ndër të tjera, i mbështetëm edhe përmes punësimit të garantuar për nga një anëtar të familjes. Skema e punësimit “Qeveria për Familjet”, e prezantuar në po të njëjtin muaj, por një vit më parë, parasheh skemë të subvencionimit të pagës për anëtarin e familjes i cili punësohet, duke garantuar kështu punësimin e së paku një anëtari të familjes. Pra, asnjë familje në Kosovë, pa asnjë të punësuar ka qenë zotimi ynë në dimrin 2020-2021. Tashmë, nga kjo skemë, kemi mbi 1.500 familje që e kanë një anëtar të familjes të punësuar.
Shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë gjithashtu i patëm premtuar, e ishin ndër premtimet e para që i përmbushëm. Zbatimin e këtyre skemave e filluam përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, mirëpo kjo tanimë jo vetëm që është bërë politikë sociale e përhershme, por edhe instrument i rëndësishëm për fuqizimin financiar të grave. Deri më tani kemi rreth 36 mijë nëna lehona e rreth 360 mijë fëmijë që janë përfitues të këtyre skemave.
Sot, në mbledhjen e 149-të të Qeverisë së Republikës, të cilën posa e përfunduam, miratuam projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga shteti. Patëm premtuar se do të rishikojmë kornizën ligjore për të adresuar çështjen disavjeçare të pabarazisë për mosnjohjen e së drejtës në pension kontributpagues për ata qytetarë të cilët janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta, e edhe këtë premtim po e realizojmë.
Rregullimi ligjor i deritanishëm kishte paraparë të drejtën në pension kontributpagues vetëm për ata të cilët ofrojnë dëshmi të kontributit 15 vjeçar në ish-fondin pensional. U mohonte të drejtën atyre që u larguan dhunshëm nga puna, për shkak të mos-përmbushjes së kushtit të kontributit prej 15 vitesh.
Kështu, kjo kategori e qytetarëve të Republikës sonë përjetuan pabarazi të dyfishtë. Njëherë përgjatë largimit të dhunshëm nga puna në kohën e ish-regjimit serb, dhe pastaj edhe njëherë nga pushteti i ish-qeverive, të cilat me ligj ose mos ndryshim të ligjit, ua mohuan të drejtën në skemën pensionale kontributpaguese kësaj kategorie të qytetarëve, të cilët do të kualifikoheshin po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna.
Në këtë mënyrë, jemi Qeveria e vetme që me veprime konkrete ligjore po rivendosim barazinë e po rrisim mirëqenien sociale, duke ndryshuar ligjin i cili do të mundësojë fitimin e së drejtës që të përfitojnë nga kontributet e tyre edhe ata, të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna, nuk arritën të përmbushin kushtin prej 15 vitesh kontribut.
Kjo arritje i shtohet listës së çështjeve e problemeve që të tjerët nuk arritën t’i zgjidhnin për 20 vite, e ne po i rregullojmë që në mandatin e parë, madje në gjysmë të mandatit.
Kemi ende shumë punë para vetes, por me durim e përkushtim do të arrijmë të përmbushim gjithçka që kemi premtuar deri në fund.
Pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave e gurëve të cilët çdo ditë na i hedhin në rrugë, ne nuk ndalemi, i mbajmë dhe i përmbushim zotimet e dhëna ndaj qytetarëve tanë.”