Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili, shkruan Fol Drejt.
Njoftimin e publikoi Zyra e Kryeministrit, ku theksohet se në këtë takim, të parin me ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë, Sabri Tunç Angili, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk, si mik e partner i dëshmuar i popullit dhe Republikës së Kosovës.
“Në emër të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i shprehu ngushëllimet më të thella ambasadorit për viktimat e tërmetit që e goditi Turqinë. Ai theksoi se Republika e Kosovës është pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, dhe mbi bazën e kapaciteteve të saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, kanë ndihmuar në këtë kohë të vështirë.”, thuhet tutje në raportin zyrtar.
Nga ana tjetër, ambasadori turk është shprehur falënderues për mikpritjen në Kosovë dhe ka shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën e Republikës së Kosovës dhënë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti shkatërrues.
“Në këtë takim u bisedua për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në ekonomi, siguri, mbrojtje dhe kulturë. Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, u theksua potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare, përmirësimi i bilancit tregtar, si dhe shtimi i investimeve nga bizneset e Turqisë. U bisedua edhe për lidhjet e forta kulturore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës dhe mundësitë për organizime të përbashkëta të ngjarjeve kulturore dhe artistike.”, shkruan në fund të njoftimit. /FolDrejt/