Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar Sekretarin Gjeneral të INTERPOL-it, Jurgen Stock, raporton Fol Drejt.
“Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock. Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, ishin temat kryesore të diskutimit.”, shkruan në raport.
Tutje, Kryeministri Kurti ka njoftuar Sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional.
“Duke theksuar se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa sundim të ligjit, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për shtet ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.”, thuhet në fund të raportit. /FolDrejt/