Kryeministri Kurti ka prezantuar Strategjinë e Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Duke iu drejtuar trupit legjislativ, ai e ka cilësuar këtë strategji si ombrellë të sektorit të sigurise që njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Kosovës.
Kjo strategji, siç ka thënë ai do të prodhojë plane dhe dokumente tjera të cilat lidhen me sigurinë kombëtare, publike, mbrojtjen dhe diplomacine.
“Ky dokument paraqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore, siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.” – ka theksuar Kurti./FolDrejt/
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend, për Strategjinë e Sigurisë së Kosovës:
I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Kabinet Qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Jam i nderuar që sot para jush të prezantoj Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, të dytën me radhë që nga shpallja e pavarësisë së Republikës sonë.
Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë e cila njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht paraqet mundësinë dhe vizionin për të ardhmen tonë. Kjo strategji do të prodhojë plane dhe dokumente tjera të cilat ndërlidhen me sigurinë kombëtare, me sigurinë publike, mbrojtjen dhe diplomacinë, e që janë të domosdoshme për të orientuar, funksionalizuar dhe zhvilluar arkitekturën tonë të sigurisë.
Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore. Ajo i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë edhe me përfaqësitë e shteteve të Quint-it, por edhe shteteve të tjera mike, sikurse që është konsultuar edhe me akademinë.
Falënderoj veçanërisht të gjithë nëpunësit e angazhuar në kuadër të institucioneve tona, që kanë dhënë kontributin e tyre për hartimin e kësaj strategjie.
Ky dokument paraqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore, siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë.
Të nderuar deputetë,
Gjatë qeverisjes sonë i kemi dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë, me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre. E kemi rritur për 52% buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nga 63 milionë sa ishte në vitin e kaluar në rreth 102 milionë për vitin 2022. Qeveria jonë ka ndarë buxhetin më të lartë në historinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e përafruar atë si shifër, dhe duke e synuar natyrisht kriterin e vendeve të NATO-s, prej 2% të bruto produktit vendor.
Ky buxhet me lartësinë e tij, është vendosje e një standardi të ri për trajtimin që Qeveria e Kosovës i bën dhe duhet t’i bëj në të ardhmen forcave të saj të armatosura dhe çështjeve të sigurisë. Me këtë buxhet ne kemi treguar seriozitetin me të cilin e shohim sigurinë në vend, ruajtjen e sovranitetit tonë dhe ngritjen e kapaciteteve të plota ushtarake që po realizohet përmes procesit të transformimit të FSK-së në ushtri moderne.
Buxhetit të rritur për ushtrinë, po i shtohen çdo ditë edhe mjetet e dhuruara nga qytetarë shqiptarë gjithandej botës, në Fondin e Sigurisë. E për këtë, do të doja ta shfrytëzojë rastin që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ta falënderojë secilën e secilin që ka kontribuar për Fondin e Sigurisë deri më tani. Gjithashtu inkurajoj çdonjërin që ka mundësi financiare dhe vullnet patriotik, të kontribuojë edhe më tutje në këtë Fond të Sigurisë.
Krahas rritjes së buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të Fondit të Sigurisë, kemi përshpejtuar blerjet ushtarake dhe blerjet e tjera që lidhen me fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe të sigurisë. Kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë shtet me shtet, duke shkurtuar kohën e furnizimit dhe duke ulur ndjeshëm koston financiare.
Kemi themeluar një grup punues me anëtarë të nivelit të lartë, me qëllim intensifikimin e punës për anëtarësim në NATO, për çka kemi gjetur një mirëkuptim shtesë nga vendet mike. Për këtë, ne synojmë anëtarësim sa më të shpejtë në Partneritetin për Paqe, përveçse edhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.
Njëkohësisht, po punojmë për aplikimin e Kosovës për statusin kandidat dhe po zbatojmë reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Kemi krijuar mekanizma të ri për më shumë koordinim të punëve në mes të institucioneve të sigurisë duke bashkuar kapacitetet dhe rritur efikasitetin e veprimit.
Prandaj, miratimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës u jep drejtim institucioneve tona në përpjekjet për unifikimin e politikave dhe të qëndrimeve të cilat ndërlidhën me interesat shtetërore të sigurisë, e për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.
Ashtu siç ka ditur të çlirohet dhe të pavarësohet Kosova, ajo do të dijë edhe do të rrijë vertikalisht si Republikë e pavarur dhe demokratike.