Pas takimit me Gabriel Escobar, në konferencë për media ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti ka treguar se për çfarë kanë diskutuar në takimin me Escobar, derisa ka ritheksuar qëndrimin se Kosova është palë konstruktive dhe e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje në dialog.
“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetin për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Kosova ka treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, e mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e ShBA-së në këtë proces”. – ka thënë Kurti.
“Me Escobar folëm edhe për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet vendeve tona për progresin dhe reformat në Kosovë. Ballafaqimi me krizën energjetik si dhe për raportet ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara” – ka shtuar ai./FolDrejt/