Kryeministri Kurti, nën shoqërimin edhe të kryeparlamentarit Konjufca, ka marrë pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare, me ç’rast ka vlerësuar respektimin fetar që bëhet në Kosovë.
Ai ka konsideruar se Kosova, edhe para se të miratohej projektligji, qëndron mirë për respektimin fetar, teksa ka vlerësuar se është e para në rajon për sundimin e ligjit.
“Ndër qëllimet e projektligjit është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare. Liria e besimit dhe e fesë është e garantuar. Liria e besimit dhe fesë ngërthen të drejtën për të pranuar fenë. Konventa për të drejtat e njeriut përcakton se çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe fesë”, është shprehur kryeministri Kurti.
“Edhe para se te miratohej projektligji, Kosova qëndron mirë për respektimin fetar. Kosova qëndron e para në rajon në sundimin e ligjit. Edhe në këtë fushë Qeveria synon të arrijë standarde në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
“Një shoqëri e hapur si Kosova mirëpret qytetarë nga çdo kënd i botës. Ndër qëllimet e projektligjit është për të promovuar këtë pluralizëm fetar”, ka shtuar ai./FolDrejt/