Kryeministri i Republikës së Kosovës – Albin Kurti, ka pasur sot në mëngjes një paraqitje për televizionin britanik Sky News.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti i ka komentuar zhvillimet në Ukrainë, ndërsa i ka krahasuar pamjet atje, me të kaluarën jo të largët të Kosovës, “kur 860.000 shqiptarë nga Kosova u dëbuan në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut”.
Ai i ka kujtuar tmerret që i ka përjetuar populli i Kosovës gjatë luftës së fundit, duke e kujtuar edhe numrin e lartë të viktimave, ndërsa i ka përmendur edhe 20 mijë gratë e dhunuara.
Ai ka thënë se çdo lider perëndimor, duhet të solidarizohet me popullin ukrainas, i cili po tregon guxim dhe kurajë përballë agresionit rus.
Kurti ka thënë se Ballkani nuk është imun përball kësaj situate, duke paralajmëruar se ajo mund të ketë efekt, duke i përmendur raportet e tensionuara politike. Ai e ka përmendur Serbinë, epërsinë e saj ushtarake karshi fqinjëve të saj, ndërsa i ka theksuar lidhjet e mira që ajo i ka me Rusinë dhe aleatët e saj.
“Nuk ka kosovarë që luftojnë në Donbask” – tha ndër të tjera Kurti, duke i mohuar e Presidentin Putin, duke e akuzuar këtë të fundit për despotizëm dhe urrejtës të Perëndimit.
Ai kërkoi nga vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin, meqë kjo do t’i kontribuonte stabilitetit të rajonit.
Po ashtu ai nuk e la pa e përmendur faktin se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150 mijë eurove në emër të pranimit në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina në kohën kur vendi po përballet me agresionin rus./FolDrejt/