Kryeministri i Republikës së Kosovës e ka filluar fjalimin e tij me tone ngushëlluese ndaj popullit turk i cili po kalon ditë të vështira, pas tërmetit fatal që ndodhi para disa ditësh, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri Albin Kurti pasi është përgjigjur në disa çështje që u ngritën për përmbytjet në Kosovë, për tërmetin në Turqi, ai u është përgjigjur edhe kritikave të liderëve të opozitës për çështjen e bisedimeve me Serbinë:
“Më datën 18 gusht të vitit 2022 ka ndodhur një takim i rëndësishëm në Bruksel, meqë për herë të parë ka pasur agjendë, ku pika e parë ka qenë: Korniza e Përgjithshme e Marrëveshjes! Pika e dytë ka qenë – çështjet aktuale.”
Prej 18 gushtit ka agjendë të strukturuar.
Ai e ka qartësuar pozicionin e Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë, duke thënë qartë dhe shkurt se “marrëveshje finale pa njohje reciproke, nuk mund të ketë!”
Ai iu ka referuar deklaratës së mëhershme ku pat thënë se “kjo është një bazë e mirë për bisedime”, por që sipas tij, “ne jemi në fillim të fillimit”.
“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, tha Kurti .
Aktualisht, sipas Kurtit, Serbia po dëshiron ta veçojë një marrëveshje, nga të gjitha marrëveshjet, pa e respektuar një rend logjik. Sipas Kurtit këto marrëveshje kanë “rend kronologjik kanë, por hierarki vlerore nuk kanë. Këtu po zhvillohet një betejë e madhe politike dhe diplomatike.”
Ai është i gatshëm të raportojë para parlamentit dhe madje, nëse është e nevojshme “me dyer të mbyllura”, meqë çështja është shumë serioze.
“Nëse unë e thërras një seancë në kuvend, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Kosovën” – ka thënë ai, duke shtuar se “ata mezi nuk presin ta akuzojnë Kosovën” se i ka shkelur parimet e konfidencialitetit. Megjithatë ai ka thënë se është i gatshëm të takohet me liderët opozitarë, për t’i informuar për rrjedhën e procesit./FolDrejt/