“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Podujevë.
I shoqëruar nga Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputeti i Kuvendit, Armend Muja, Kryeministri Kurti bëri homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”, përcjell Fol Drejt.
Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tonë, tha kryeministri Kurti.
Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe, theksoi Kryeministri.
Kryeministri Kurti i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë.
I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve.
Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti në homazhet te varrezat e familjes Bogujevci:
Ne po vijmë këtu pas vizitës së Izbicës, ku në Drenicë u vranë 147 shqiptarë, të cilët u rrëmbyen sa ishin të gjallë, u pushkatuan, u varrosën, u zhvarrosën, iu rrëmbyen kufomat, u dërguan në Serbi, u varrosën atje dhe më pastaj u zhvarrosën dhe u kthyen në Kosovë dhe jo të gjithë, meqenëse 6 prej tyre janë ende të pagjetur. Atje për të bërë nderime isha, përveç se me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe ministren tonë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu edhe me udhëheqësin tonë, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, për të Zhdukurit me Dhunë, Andin Hotin.
Po vijmë këtu në Llap, në Podujevë për të kujtuar e për të nderuar viktimat e familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, të cilët u vranë mizorisht nga Njësiti serb “Shkorpionët” 24 vjet më parë.
Shtatë fëmijë dhe shtatë gra u vranë. Shtatë fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe sot e kemi Saranda Bogujevcin, Nënkryetare të Kuvendit, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes gjithsej dhe ajo iu mbijetoi 16 plumbave, që i ranë në trup.
Ai njësiti famëkeq “Shkorpionët” është i njëjti, që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 dhe ekzekutori Sasha Cvjetan u pat dënuar me 20 vjet burg në Serbi, mirëpo u lirua 3 vjet e gjysmë para kohe për kinse sjellje të mirë. Ndërkaq, para pak muajsh, e morëm vesh lajmin se është arrestuar në Athinë të Greqisë, si njëri prej eksponentëve kryesor të një karteli të drogës atje.
Pra, krimi i organizuar dhe kriminelët e luftës janë të lidhur ngushtë.
Në një ditë si kjo, ne jemi plot dhembje, mall e pikëllim për më të dashurit tanë, për këto familje, që humbën e vuajtën kaq shumë, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për qëndresën e tyre dhe për kurajon, që po ia japin gjithë popullit tonë.
Andaj, si institucione të shtetit, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, ne jemi gjithmonë borxhli ndaj atyre që dhanë jetën për lirinë tonë dhe në të njëjtën kohë kemi obligim sa të jetë jeta, që të angazhohemi për drejtësi për ta.
Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Lavdi martirëve dhe dëshmorëve këtu në Podujevë në Llap, të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu dhe të gjithë të rënëve për liri anembanë Kosovës!
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti te varrezat e familjes Duriqi:
Edhe masakra në familjen Duriqi para 24 vjetëve, është dëshmi e gjenocidit të Serbisë.
Ju po e shihni se këtu e kemi Lapidarin, ku përkujtohet, që të mos harrohet kurrë vrasja e katër fëmijëve, 3 vjeç, 5 vjeç, 8 vjeç dhe 10 vjeç, por gjithashtu edhe e bashkëshortes dhe e prindërve. Këtu i kemi vëllezërit Duriqi.
Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe.
Ata u prehshin në paqe, mirëpo shpirtrat tanë, jo vetëm të familjes Duriqi, nuk do të jenë të qetë, derisa të mos ketë drejtësi, derisa edhe urdhërdhënësit edhe ekzekutorët të mos marrin ndëshkimin e domosdoshëm.
Me këtë rast, i bëj thirrje edhe njëherë Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë.
Lavdi martirëve të familjes Duriqi, lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!
Deklarimi i plotë i Kryeministrit me familjen Duriqi:
Enver Duriqit ja kanë vrarë gruan, 4 fëmijë dhe prindërit. Fëmijët kanë qenë të moshave 3, 5,8 edhe 10 vjeç. Katër fëmijë ia kanë vrarë Enver Duriqit më 28 mars 1999.
Ai ka filluar jetën e re në këto vitet e pasluftës dhe i ka sërish 4 fëmijë dhe këta fëmijë i kanë saktësisht emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve.
Ne kemi vuajtur shumë e kemi humbur shumë por populli ynë është një popull i cili nuk ndalet edhe i cili e do vendin e vet edhe më shumë se vetveten prandaj edhe ne do të ngadhënjejmë por duhet të bëjmë maksimumin që ata që pësuan kaq shumë të mos ngelën pa rehabilitimin që ua sjellë drejtësia andaj me këtë rast më lejoni që ta shpreh mirënjohjen time të thellë, falënderimin dhe përkuljen para kurajës së familjes Duriqi dhe uroj që këta fëmijë që mbajnë emrat e atyre fëmijëve të vrarë të kenë shëndet, jetë e sukses./FolDrejt/