Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot, konferencën e fundvitit me gazetarë, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së 52-të të Qeverisë së Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përmblodhi vendimet e mbledhjes së sotme dhe rëndësinë e tyre dhe po ashtu listoi të arriturat kryesore të Qeverisë që nga koha e marrjes së mandatit qeverisës.
“Në këtë vit, i kishim gjithsej 52 mbledhje, 485 vendime, 119 projektligje, 60 emërime, 16 koncept dokumente, 10 udhëzime administrative, 7 projekt rregullore dhe 5 nisma legjislative”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që po përmbyllet viti me një menaxhim të shkëlqyeshëm të pandemisë dhe se projekti kryesor me siguri që ishte ai i vaksinimit ku është arritur që të administrohen 1.65 milionë doza të vaksinave pa e marrë asnjëherë në konsideratë mundësinë e vaksinave nga lindja dhe verilindja, pra vetëm me Pfizer dhe Astrazeneca të verifikuara nga FDA dhe EMA.
“Gjithashtu e arritur e theksuar në këtë vit është rritja ekonomike, praktikisht dyshifrore e cila ka bërë që të kemi një bonus prej 800 milionë euro në ekonominë tonë. Janë rritur të hyrat, janë zvogëluar shpenzimet e qeverisë. Janë rritur të hyrat buxhetore, janë zvogëluar shpenzimet qeveritare. Të hyrat buxhetore janë rritur përafërsisht për 30 për qind, eksportet krahasuar me vitin 2020 për 60 për qind e mandej për 90 për qind krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur krahasuar me vitin e kaluar 53 për qind krahasuar e 80 për qind krahasuar me vitin 2019 sa i përket muajve të parë të vitit apo tre çerekeve të parë siç bëhen matjet”, veçoi kryeministri.
Tutje, kryeministri tha se Doganat e Kosovës kanë grumbulluar 1.32 miliard euro që është për 1/3 ma shumë se vitin e 2020, që është për 17.5 për qind më shumë sesa në vitin 2019 dhe për 21 për qind më shumë se në vitin 2018.
“I kemi formalizuar gjithsejtë 10 mijë vende të reja të punës dhe Administrata Tatimore e Kosovës ka inkasuar mbi 588 milionë euro meqë rast kjo është për më shumë se ¼ krahasuar me vitin e kaluar, më shumë se sa 1/8 krahasuar me vitin 2019 dhe 28 për qind krahasuar me vitin 2018”, tha ndër tjera ai.
Në aspektin e luftimit të krimit e korrupsionit, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë realizuar 509 operacione, 117 plane operative dhe bastisje 893 sosh me 799 kallëzime penale natyrisht që ky numër rritet nga dita në ditë.
Për kryeministrin Kurti, një e arritur që natyrisht është e veçantë, është ajo për ushtrinë e Kosovës, prej zbarkimit të përbashkët në Kuvajt me ushtrinë amerikane, te Defender Europe 21.
Duke ua uruar vitin e ri 2022 me të gjitha të mirat, në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti i falënderoi të gjithëve gazetarët për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për raportimet që kanë bërë e temat që kanë trajtuar./FolDrejt/