Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, bashkë me ministrin Hekuran Murati, nëpërmjet një konference për media kanë shpjeguar pakon e re të ndihmave, e cila është dedikuar për t’i ndihur qytetarët, për ta përballuar krizën e shkaktuar nga inflacioni, shkruan Fol Drejt.
“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, tha ai.
Kryeministri Kurti tregoi që pakoja rrokë disa shtresa të shoqërisë, duke i përfshirë pensionistët dhe punëtorët në sektorin privat.
“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, tha ai.
Ai po ashtu njoftoi se për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro duke filluar nga shtatori, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.
“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, bëri të ditur Kurti.
Sipas tij, në masën e subvencionimit të kursimit të energjisë do të përfitojnë rreth 300 mijë familje, ndërsa nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë. /FolDrejt/