Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në darkën e punës të ftuar nga Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob për liderë të rajonit dhe presidentin e Këshillit të Evropian, Charles Michel.
Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë darkës u diskutua për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe sigurinë, përcjell Fol Drejt.
“Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Procesin e Berlinit ku veçoi atë për lirinë e lëvizjes. Më 1 janar 2024 të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian ndërkohë që do t’ju kërkohen viza për në Bosnje dhe Hercegovinë. Në këto 50 ditët e mbetura para Samitit në Tiranë, është e rëndësishme që të fillojë zbatimi i plotë i tri marrëveshjeve që kemi nënshkruar në Berlin.
Kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht.
Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet. Ballkani Perëndimor duhet ta mbështesë zgjerimin dhe vendet aspirante duhet të kryejnë reformat të cilat përshpejtojnë anëtarësimin”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të Kryeministrit./FolDrejt/