Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mirëpret vendimin e rëndësishëm, por të vonuar të shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Kurti tha se ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit të shtetit të Kosovës për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit.
“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”, shkroi Kurti në Facebook.
“Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave; politikat sociale të rishpërndarjes me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe atë për Përballje me Inflacionin; rreshtimi me botën demokratike dhe qeverisja e mirë dhe e pastër ka ndryshuar rrënjësisht imazhin e Kosovës”, shtoi ai.
Në fund, ai tha se pret që ky proces të finalizohet sa më shpejtë. /FolDrejt/