Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia jonë arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë. Përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të, tha kryeministri Kurti në hapje të ceremonisë së ndarjes së çmimeve vjetore në kinematografi.
Duke përmendur dy marrëveshjet e rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik, atë me shtetin e Izraelit dhe me Francën, kryeministri tha se këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.
Në këtë ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Kino Armata në Prishtinë, u ndanë dy çmimet vjetore në kinematografi për vitin 2021.
“Çmimi vjetor për Kinematografi” i takoi regjisores Blerta Basholli. Ky çmim që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë për vitin 2021, regjisorja Basholli e pranoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, iu nda post-mortem aktorit, producentit dhe skenarist të gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare, Abdurrahman Shala. Këtë çmim që u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë, në emër të familjes e pranoi Genc Shala, nga ministri Hajrulla Çeku.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar Ministër Çeku,
I dashuri komunitet i kineastëve,
Të nderuar të pranishëm,
zonja dhe zotërinj,
Çdo vit, shteti i Republikës së Kosovës nderon me çmime laureatët e shumë fushave artistike. Sonte jemi mbledhur këtu për t’i kremtuar e nderuar këta kinematografë me dy çmime: Çmimin për Vepër Jetësore në Kinematografi dhe Çmimin Vjetor në Kinematografi.
Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kinematografia jonë arriti në majat më të larta që ka arritur ndonjëherë. Përfaqësimi ndërkombëtar gjithandej planetit, çmimet e jashtëzakonshme dhe të panumërta të fituara, na rikujtuan edhe një herë që talentin e kemi brenda shtëpisë dhe se ne duhet të punojmë me të e për të. Pra, kjo edhe një këshillë për të gjithë ne, talenti pa punë është pothuajse asgjë. Vetëm puna e madhe dhe e vazhdueshme do të shfaqë horizonte të reja të talenteve tanë.
Detyra e jonë është që ta ushqejmë këtë talent, t’ia hapim dhe t’ia lehtësojmë rrugët drejt suksesit, e t’i mbështesim jo vetëm pasi që të korrin suksese.
Për këtë arsye janë nënshkruar dy marrëveshje shumë të rëndësishme të bashkëprodhimit kinematografik. E para është nënshkruar me shtetin e Izraelit dhe e dyta me njërin prej shteteve më të fuqishme në kinematografi, atë me Francën. Këto marrëveshje hapin rrugën dhe ofrojnë mundësi për prodhime të reja, që nënkupton më shumë financim, më shumë shkëmbim të përvojave, stileve e teknikave të filmbërjes.
Ministria jonë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit aktualisht po punon edhe në Ligjin për Kinematografi, i cili do të përcillet për diskutim në Kuvendin e Kosovës. Pra, do të ketë incentiva dhe lehtësime të tjera e të shumta për fushën e filmit. Me shpalljen e filmit si Interes i Veçantë Shtetëror i yni, do t’i ipet vëmendje dhe rëndësi procesit të bërjes së filmit në vend.
Statistikat para dhe pas pandemisë tregojnë që të interesuarit për të shikuar film në Kosovë janë në numra gjithnjë e më të mëdhenj, duke marrë parasysh shitjet e biletave nëpër kinematë e vendit. Përveç filmave të huaj, ka interesim të shtuar edhe për filmat vendor, të cilët kanë thyer rekorde të shitjes së biletave.
Prandaj filmi te ne po shikohet shumë më shumë se më parë, e krahas kësaj edhe kritika për të është rritur. Prandaj edhe prodhimi i filmit po shtohet, sepse imagjinata po thellohet. Të rejat e të rinjtë tanë kanë imagjinatë të madhe. Këtu nuk mundem pa i përmendur gratë të cilat janë emri i suksesit tonë, të Kosovës. E këtë e kemi parë në film, e kemi parë në pikturë, e kemi parë në muzikë e gjithandej. Këtë e kemi parë edhe në poezi të poetëve të rinj, të poeteve të reja, por këtë po e shohim edhe në shkencë e në sport. Ne jemi këtu për asgjë tjetër vetëm për të punuar që imagjinatën tuaj ta bëni realitet për të gjithë neve.
I uroj komunitetit të kineastëve sa më shumë suksese në të ardhmen, kurse për tash, le të kremtojmë këta laureatët të kinematografisë për vitin 2021.
Ju falemnderit./FolDrejt/