Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku morën pjesë rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova, përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësuesit e odave ekonomike, kryetarë komunash e përfaqësues të USAID-it.
Kryeministri Kurti në fjalën e hapjes së Forumit tha se shpreson që nëpërmjet rrjetëzimit, që ofron ky forum sot, të lidhen partneritete bashkëpunimi, të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës.
Ai foli edhe për takimet që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur për qëllim prezantimin e arritjeve ekonomike të Kosovës dhe potencialet investuese.
Ndër të tjera, veçoi nënshkrimin e marrëveshjes me MCC për investim prej $236.7 milionë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme; vizitat në kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e sektorit të IT në Kosovë; bisedat rreth mënyrave më të avancuara të përdorimit të teknologjisë për avancim të bujqësisë; bashkëbisedimet me studentët, investitorët dhe profesionistët e diasporës shqiptare.
Ndërsa tha që potencialet dhe interesat ekonomike të Kosovës i prezantoi edhe në takimet që ka pasur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Në Davos, kryeministri Kurti tha se ka theksuar që viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53%, rritje eksportesh prej 83.6%, rritje në investime të huaja direkte prej 21%, ngritje në pagesa tatimesh prej 30%, pa ndryshuar politikat fiskale, dhe rritje të hyrash të Doganës prej 31%, ndërsa janë krijuar rreth 25,000 vende të reja pune.
Popullsia e re dhe profesionale, e cila flet gjuhë të huaja rrjedhshëm, është teknologjikisht e përparuar, dhe ka qasjen më të lartë rajonale në internet, kosto të ulët, na bën konkurrentë si fuqi punëtore, tha kryeministri.
Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik, ai tha se jemi duke punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e hapur për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik, dhe të përkrahë nisma të reja që sjellin deri te rritja e investimeve, sidomos në ato të orientuara në eksport.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari,
E nderuara Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Liza Gashi,
I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, z.Përparim Rama,
I nderuari z.Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare,
I nderuari kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës shqiptare në Austri, z.Yll Blakaj,
E nderuara udhëheqëse e USAID-it në Kosovë, znj.Zeinah Salahi
Të nderuar bashkë-drejtues të organizatës GERMIN, znj.Sihana Bejtullahu dhe z.Lirim Krasniqi,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve nga Kosova, nga Diaspora, përfaqësues të institucioneve dhe të odave ekonomike,
Të nderuar pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë që sot ta hapi këtë Forum të Bizneseve të Diasporës. Shpresoj që nëpërmjet rrjetëzimit, që ofron ky forum sot të lidhen partneritete bashkëpunimi, të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës.
Unë sapo jam kthyer nga një vizitë dy javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të pasuar nga pjesëmarrja ime në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
- Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi negociuar marrëveshjen me MCC-në, me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit në Uashington D.C. për investim prej $236.7 milionë dollarësh, në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme;
- Kemi vizituar kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e sektorit të ICT-së në Kosovë;
- Biseduam rreth mënyrave më të avancuara të përdorimit të teknologjisë për avancim të bujqësisë;
- Prezantuam arritjet ekonomike të Kosovës dhe potencialet investuese dhe
- Zhvilluam bashkëbisedime me studentët, investitorët dhe profesionistët e diasporës shqiptare.
Thirrja jonë si Qeveri e Republikës së Kosovës ishte që të kontribuohet për Kosovën, tashmë jo duke sakrifikuar, por duke fituar, duke përfituar, meqenëse Kosova është një vend, në të cilën mund të kontribuosh duke fituar e përfituar edhe ti.
Potencialet dhe interesat ekonomike të Kosovës i kam prezantuar edhe në Davos. I kam të freskëta në mendje, prandaj do t’i përsëris disa prej tyre edhe këtu.
Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Jemi renditur të parët në Ballkan apo të dytët në rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore për sundim të ligjit, sipas indeksit të World Justice Project 2021, i cili bën matjen e perceptimit të popullatës dhe profesionistëve ligjor se sa funksional është ligji në atë shtet. Po ashtu, jemi ngritur për 17 vende në indeksin e Transparency International, i cili e mat percepcionin e korrupsionit në sektorin publik.
Viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës pasi që kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53%, e cila është rritje pra dyshifrore, më e madhja në Kosovën e pasluftës, kemi pasur rritje të eksporteve prej 83.6%, e këtu duhet theksuar rritjen e eksporteve të përpunimit të drurit dhe metaleve, të ushqimeve dhe të pijeve, të tekstilit dhe të lëkurës, si dhe të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, pastaj rritje të investime të huaja direkte për 22%, rritje të tatimeve prej të të hyrave të tatimeve pa i rritur tatimet, prej 34 % pra pa e ndryshuar politikën fiskale janë rritur të hyrat tatimore, sepse kur njerëzit kanë shpresë, janë optimist, ata më parë shpenzojnë se sa kursejnë dhe kur shohin që nuk ka korrupsion në Qeveri, përgjithësisht qytetarët janë më të gatshëm që të paguajnë tatime. Pastaj, kemi pasur rritje të të hyrave të Doganës prej 31%, ndërkaq janë krijuar edhe mbi 25 mijë vende të reja të punës, 10 mijë prej tyre drejtpërsëdrejti reflektim i Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Pozita qendrore gjeografike në Ballkanin Perëndimor, infrastruktura e mirë rrugore, aeroporti modern, (përndryshe Aeroporti i Prishtinës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”, është aeroporti me më së shumti fluturime në Ballkanin Perëndimor në këtë katër mujor. Në vitin e kaluar ka qenë Beogradi, por në këta katër muaj është Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës), pastaj afërsia e porteve mesdhetare e bëjnë Kosovën gjithashtu vend të volitshëm edhe tregtar edhe transportues. Jemi duke punuar që në të ardhmen të modernizohen edhe hekurudhat dhe kështu të shtohet potenciali transportues. Kjo paraqet një lajm të mirë edhe për kompani, që duan ta zhvendosin prodhimin e tyre nga Azia për shkak të rritjes së kostos së transportit.
Pra, ajo që po quhet Afër Bregut (Nearshoring), është bërë kryefjala e investimeve në ekonomi sot në botë.
Popullsia e re dhe profesionale, e cila flet gjuhë të huaja rrjedhshëm, pothuajse që të gjithë anglisht, e shumë prej tyre edhe gjermanisht, është teknologjisht e përparuar dhe ka qasjen më të lartë rajonale në internet, kosto të ulët na bën edhe qiraja përgjithësisht e ulët, por edhe pagat gjithashtu krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm.
Kosova ka mbi 650 kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, shumica e të cilave shërbejnë tregjet e jashtme dhe çdo ditë janë duke e dëshmuar potencialin për outsourcing. Prej këtyre 650 kompanive, që janë në fushën e TIK-ut, 10 për qind të tyre janë në pronësi të huaj, 21 për qind janë në pronësi të përzier, 70 për qind e këtyre kompanive eksportojnë, ndërkaq 61 për qind të produkteve të këtyre kompanive janë për eksport.
I punësojnë gjithsej rreth 20 mijë profesionistë, në ndërkohë që në Kosovë diplomojnë për çdo vit në 10 universitete të ndryshme publike, por edhe private, 2000 studentë në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe janë 4000 mijë të tjerë, të cilët po kryejnë trajnime të ndryshme në programe, të cilat edhe janë të financuara prej Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë vizitës në Chicago isha dëshmitar i një kompanie, e cila kishte më shumë punëtorë në Kosovë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo është për t’u mburrur për të gjithë neve.
Me mbi 600 mijë hektarë tokë të punueshme, përpunimi i ushqimit dhe pijeve shfaq mundësi për investim dhe për zhvillim. Tradita e përpunimit të drurit është përkthyer në kompani, që po eksportojnë në mbarë Evropën dhe më larg. Potencial investues dhe përparësi konkurrueshmërie kanë sektorët që ofrojnë mundësi për kursime në kosto, sikurse për shembull shërbimet që kryejnë funksion mbështetës, si financat dhe kontabiliteti, shitja, marketingu dhe shërbimet ndaj konsumatorëve; pastaj shërbimet, që kanë rol krijues dhe teknik, sikurse dizajni grafik, zhvillimi i përmbajtjeve multimediale dhe publikimi, inxhinieria mekanike, elektrike dhe ndërtimore, zhvillimi i softuerëve dhe menaxhimi i rrjeteve; si dhe funksione që kërkojnë njohuri të larta, sikur shërbimet inxhinierike, prodhim me kontratë për industrinë e teknologjisë së informacionit, pra programim, farmaceutikë, prodhim i mobileve, përpunim i ushqimit dhe industri të produkteve elektronike.
Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik jemi duke punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë, në mënyrë që për çfarëdo mosmarrëveshje eventuale në biznes, ta kemi Gjykatën Komerciale, e cila gjithçka e kryen shumë shpejt, sepse jo vetëm qytetarët, por edhe biznesmenët, madje sidomos biznesmenët e ndërmarrësit pra, nuk do të dëshironin të kalojnë ditët e tyre të punës e të fitimit nëpër gjykata me procese të stërzgjatura.
Po ashtu, jemi duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit tonë shoqëror, ekonomik dhe kulturor, duke zhvilluar një dialog me mërgatën për t’i përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë dhe Draft-Strategjinë për mërgatën, e cila do të finalizohet këtë vit. Jemi duke eksploruar mënyra se si ata të përdorin dijen dhe eksperiencën e tyre jashtë për të kontribuar drejt zhvillimit tonë, përmes know-how ose transferit të dijës në vendin tonë.
Jemi në situatën, në të cilën kemi nevojë jo më pak për dijen dhe shkathtësitë dhe përvojën dhe etikën e punës së mërgatës sonë, e jo vetëm për financat dhe bazën e tyre materiale.
Gjithashtu po bëjmë punë në promovimin e produkteve dhe interesave të Kosovës jashtë vendit sa më mirë nëpërmjet qytetarëve tanë diplomatë, që në esencë janë të gjithë pjesëtarët e mërgatës, artistët, sportistët dhe jo vetëm trupi ynë diplomatik. Përderisa shtetet e tjera, kur kanë shpallur pavarësinë e janë themeluar, ato njëherë e kanë shpallur pavarësinë e janë themeluar, e më pas i kanë pasur ambasadat e tyre. Mbase mund të thuhet, që për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, vlen e kundërta. Ne së pari kemi pasur ambasadat, ju kemi pasur juve, e më pastaj kemi shpallë shtetet tona. Edhe para vitit 1912, ka qenë shoqata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe para vitit 2008, kemi pasur ambasadorët tonë joformal, pra juve në Evropën Perëndimore e gjetiu, që ka mundësuar mbështetjen ndërkombëtare për atë që vjen më pas, njëherë çlirimi e më pas edhe pavarësia.
Në kuadër të Qeverisë, ne besojmë shumë në fuqinë e qytetarit si diplomat, prandaj edhe jemi duke punuar për të krijuar sa më shumë ndërlidhje në mes të vendit dhe qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit.
Zhvillimi i Kosovës është drejtpërdrejt i lidhur jo vetëm me kontributin pra financiar të mërgatës por edhe me atë shoqëror, sikurse sjellja në atdhe e risive, kulturës së punës, rrjetëzimit, që kanë krijuar me kompani e tregje të huaja dhe në përgjithësi pikëpamjeve përparimtare. Por, tanimë, me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë.
Pra, ejani, kontribuoni dhe fitoni! Nuk jemi në të kaluarën, kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, por për kontribut përmes fitimit, përmes përfitimit, përmes fitimit të dyanshëm, edhe për mërgatën tonë, si qytetarë të vendit tonë e pjesëtarë të kombit tonë, edhe për shtetin tonë demokratik dhe zhvillimit e tij socio-ekonomik.
Dua të ritheksoj se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e hapur për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik dhe të përkrahë nisma të reja që sjellin deri te rritja e investimeve, sidomos ato të orientuara në eksport. Mbase edhe mund të bëjmë ndonjë zëvendësim të importeve, por zhvillimi ynë ekonomik kalon nëpërmjet rritjes së eksporteve, sepse si treg prej rreth 2 milionë banorëve, eksporti duhet të jetë kryefjala e hovit të mëtutjeshëm në ekonominë tonë, e në këtë drejtim e mirëpres një konsolidim dhe bashkërendim të platformave ekonomike në Kosovë dhe Diasporë, në mënyrë që potencialin ta shndërrojmë në mundësi reale, e dihet që mundësitë janë më të mëdha, se sa realiteti që e kemi.