Për të përshpejtuar e ndërruar konceptin e të prodhuarit në përputhje me trendet globale dhe praktikat më të mira bujqësore, Qeveria është e përkushtuar që të zbatojë standardet më të mira të mundshme në të gjithë sektorët, sikurse është bërë në sektorin e mjedrave, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Konferencën e 6-të të mjedrës në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Kështu e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke ju ofruar ushqime të sigurta dhe vende pune, fermerëve kushte të mira të punës, mjedisit përmirësim të vazhdueshëm, e zonave tona rurale peizazh të bukur e gjallëri, tha ai.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që prodhimet tona, mjedra jonë kualitative, e rezultati në sektorin e mjedrave është e përbashkëta e shumë qytetarëve evropian.
Përkushtimi i prodhuesve, e ka bërë të mundshme që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në 1400 hektarë sa janë tani në vitin 2021. Nga viti 2014 deri në 2021, Kosova prodhoi afër 26,500 tonë mjedër, në vlerë prej 54 milionë euro, ku pothuajse e tëra për eksport, për në vendet e BE-së, në veçanti Gjermani. Me këtë janë krijuar afro 5000 vende pune, e është përmirësuar jeta e mijëra familjeve, tha kryeministri.
Me temën “Tranzicioni drejt sektorit të qëndrueshëm të mjedrës në Kosovë” kryeministri Kurti diskutoi me anëtarët e Shoqatës Nacionale “Mjedra e Kosovës”, fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agroushqimore, të sektorit të pemëve të imëta, me pjesëmarrës nga komuniteti akademik vendor e ndërkombëtar, dhe me përfaqësuesit e CARITAS Zviceran, USAID dhe partnerë të tjerë ndërkombëtar në Kosovë.
Duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe dijes, kryeministri tha se kjo e bën të mundur më mirë dhe më saktë adresimin e nevojave të shoqërisë, ndërsa tregon kulturën, kujdesin dhe durimin e prodhuesve tanë. E përtej kësaj mundëson ofrimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe atyre vendeve ku eksportohen produktet e Kosovës.
Fjala e plotë e Kryeministri Kurti në Konferencën e 6-të të mjedrës në Kosovë:
Të nderuar organizatorë nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”,
I nderuar Gerhard Schaumberger, Drejtor i CARITAS Zviceran në Kosovë,
Të nderuar pjesëmarrës nga komuniteti akademik,
Të nderuar fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agroushqimore, respektivisht të sektorit të pemëve të imëta, e të mjedrave në veçanti,
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju uroj punë të mbarë në një konferencë të tillë, ku kontribuohet që boshllëqet në dije dhe përvojë në mes akademisë, fermerëve dhe operatorëve të zvogëlohen sa më shumë, e ashtu edhe në mes vendeve të ndryshme të Evropës dhe botës të gjejmë të përbashkëtën.
Shkëmbimi i përvojave dhe dijes në mes nesh na bën të mundur më mirë dhe më saktë që t’i adresojmë nevojat e shoqërisë, tregojmë kulturën, kujdesin dhe durimin e prodhuesve tanë. E përtej kësaj mundëson ofrimin e produkteve cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe atyre vendeve ku eksportohen produktet e Kosovës. Është kënaqësi që prodhimet tona, mjedra jonë kualitative, e rezultati juaj është e përbashkëta e shumë qytetarëve evropian.
Pra, shkëmbimi i kësaj përvoje dhe përkushtimi i prodhuesve, e ka bërë të mundshme që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në 1400 hektarë sa janë tani në vitin 2021. Nga viti 2014 deri në 2021, Kosova prodhoi afër 26,500 tonë mjedër, në vlerë prej 54 milionë euro, ku pothuajse e tëra për eksport, për në vendet e BE-së, në veçanti Gjermani. Me këtë janë krijuar afro 5000 vende pune, e është përmirësuar jeta e mijëra familjeve.
Një sukses i tillë i sektorit të mjedrave, është bërë sigurisht edhe nga organizimi shembull i fermerëve të mjedrave, Shoqatës regjionale “Mjedra e Llapit”, që në vitin 2017 është pajisur me certifikatën grupore të sigurisë ushqimore GLOBAL GAP, që ka qenë grupi më i madh në botë për sektorin e mjedrës, me 469 fermerë. Andaj, inkurajojmë organizimet e fermerëve të ndjekin këtë shembull, që do të sillte suksese për të gjithë. Gjithmonë do të mbështesim nisma të këtilla bashkëpunimi, që do të përcillen me politika adekuate.
Për ne është kënaqësi që prodhuesit tanë, me cilësinë e tyre të krenojnë edhe përfaqësues diplomatikë të huaj, të përmendin në asamblenë e të gjithë kombeve të botës, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prodhimet tona bujqësore sikurse janë mjedrat dhe verërat. Por, ne kemi edhe shumë produkte tjera, sikurse molla, rrushi, speci, patatja, bimët mjekësore aromatike, dhe prodhimet e bulmetit që janë duke zënë vend në tregje si prodhime “Premium”.
Sigurisht për të arritur dhe shtuar këtë nivel tregu është e duhet investuar ende në ekspertizë, dhe rritur përkushtimin e fermerëve dhe përpunuesve që të përdorin mirë kushtet ideale agro-ekologjike që mbizotërojnë në vendin tonë. Këto kushte duhet interpretuar saktë dhe shkëmbyer drejtë me njëri-tjetrin që të përmirësojmë pa ndalë prodhimet përgjatë gjithë zinxhirit të ushqimit.
Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,
Për të përshpejtuar e ndërruar konceptin e të prodhuarit në përputhje me trendet globale dhe praktikat më të mira bujqësore, Qeveria është e përkushtuar që të zbatojë standardet më të mira të mundshme në të gjithë sektorët, sikurse keni bërë ju në sektorin e mjedrave, me ekspertë nga ShBA, Polonia, Austria, Gjermania, Shqipëria, Turqia etj,. Kështu e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke ju ofruar ushqime të sigurta dhe vende pune, fermerëve kushte të mira të punës, mjedisit përmirësim të vazhdueshëm, e zonave tona rurale peizazh të bukur e gjallëri.
Të nderuar pjesëmarrës,
U dëshiroj një ditë të mbarë me shumë përfitime në aspektin e njohurive, të cilat do t’i jenë të dobishme për tokën e pemishtet e juaja, për të rritur rendimentin, cilësinë, krijimin e vendeve të reja të punës si dhe eksportin drejt vendeve të BE-së. Kështu duke diversifikuar gamën e produkteve me prodhimet tona, me të cilën do të përmirësohej bilanci tregtar dhe do t’i shtohej vlerë vendit me prodhimet tona.
Njëkohësisht ftoj, përmes jush, të gjithë investitorët që të përdorin mundësinë për të investuar në sektorin e prodhimit dhe agro-përpunimit në Kosovë, duke sjellë risitë dhe ekspertizën e kohës, sepse Kosova ka kushte të mira klimatike dhe investive. Qeveria e ka prioritet këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit./FolDrejt/