Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e donatorëve për sigurimin e strehimit të qëndrueshëm të 60 familjeve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian të kthyera në Kosovë. Kjo ngjarje u organizua në ndërtesën e Qeverisë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi mirënjohjen që sot kemi një mënyrë për të siguruar një zgjidhje afatgjatë për 60 familje që të flenë të qetë dhe të ngrohtë, duke ndjerë se janë në shtëpi.
“Strehimi për familjet më të cenueshme të Kosovës është prioritet i qeverisë sonë. Këtë vit kemi ndarë fonde për mbi 380 familje nga komunitetet jo-shumicë, për të përfituar nga përmirësimi i banesave.” shtoi kryeministri Kurti.
Suksesi i këtij angazhimi, vjen si rrjedhojë e punës nga ana e qeverisë, veçanërisht përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, komunat por edhe falë bashkëpunimit të ngushtë e të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë.
“Në vizitat e mia në këto projekte ndërtimi dhe takimet e mia me familjet që përfitojnë, kam parë sesi investimi ndikon jo vetëm në gjendjen e tyre materiale, por edhe ndjenjën e shpresës, përkatësisë dhe aftësinë e tyre për të kontribuar në komunitetin dhe vendin e tyre. Jam i bindur për fuqinë transformuese të asaj që ne mund të bëjmë së bashku për 60 familjet që kërkojmë të mbështesim sot.” tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se sot do të shohim dhe planet se si këto familje mund të strehohen siç duhet, me akses në shërbime, në arsim dhe në tregun e punës, si dhe të diskutojmë kostot e sigurimit të këtyre kushteve për këto familje.
“Nga 2.5 milionë euro të nevojshme, qeveria jonë do të bëjë një zotim financiar dhe do të dëgjojmë nga ministri Rashiq për mbështetjen që ministria e tij do të ofrojë në veçanti dhe ju jam jashtëzakonisht mirënjohës juve, partnerëve tanë. Me praninë tuaj sot këtu, ju keni treguar gatishmërinë tuaj për të qenë pjesë e zgjidhjes, së bashku me ne, ” përfundoi kryeministri.