Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën e parë Rajonale për Përmirësimin e Menaxhimit të Borxhit Tatimor, organizuar në Kosovë nga CEF Qendra e Ekselencës Financiare, Slloveni, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Administratën Tatimore tё Kosovës dhe Administratën Tatimore tё Holandës.
Kryeministri Kurti teksa shprehu kënaqësinë që sot ishte i pranishëm në këtë punëtori, tha se fakti që këto institucione të respektuara ndërkombëtare po e konsiderojnë Administratën Tatimore të Kosovës si rast studimor për të mirë, tregon për përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin në rritje të këtij institucioni, transmeton Fol Drejt.
Duke folur për sukseset e Administratës Tatimore të Kosovës, kryeministri theksoi se ky institucion ka përmirësuar inkasimin e të hyrave dhe se vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime, që paraqesin të hyra rekord . ‘’Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 95.8 milionë euro apo 21.4 %. Ndërsa, në krahasim me planin tonë kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro apo 6.7%’’, tha kryeministri.
Para të pranishmëve në këtë ngjarje, kryeministri Kurti përmendi edhe Konsolidimin e Funksionit të Mbledhjes së Borxheve, si një ndër reformat më kryesore, e cila ka ngritur thelbësisht cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore.
Kjo performancë pozitive, shtoi më tej ai, është rezultat i rritjes së disiplinës në administratën tatimore dhe i numrit të inspektimeve në njërën anë dhe i rritjes së moralit tatimor apo motivit për të paguar taksa nga ana e qytetarëve, në anën tjetër. “Kur qytetarët dhe bizneset e shohin se institucionet nuk janë të korruptuara dhe nuk po keqpërdorin dhe po e ruajnë paranë publike, e shpenzojnë me kujdes dhe plan e me llogaridhënie, ata janë më të gatshëm që të paguajnë taksat, të bindur se ato pastaj do të përdoren për të mirën publike nëpërmjet shërbimeve publike’’, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Kurti përgëzoi organizuesit për këtë punëtori, e cila siç tha ai, ju mundëson avancim të njohurive dhe praktikave përmes shkëmbimit të ekspertizave ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore.
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
“Të nderuar të pranishëm,
I nderuari ministër i Financave, Punës dhe Transfereve të Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Hekuran Murati,
I nderuar drejtues i Administratës Tatimorë të Kosovës z. Ilir Murtezaj,
Të nderuar përfaqësues të Fondit Ndërkombëtar Monetar të Administratës Tatimore të Holandës, përfaqësues të Administratave Tatimore të vendeve të rajonit, të Bullgarisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore, Rumanisë dhe Shqipërisë,
E nderuara përfaqësuese e Qendrës për Ekselencë në Financa znj. Repansek,
E nderuara shkëlqesia e juaj, Ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj Minca Benedejqiq,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi që të jem i pranishëm sot në këtë ngjarje – pra në Konferencën e parë Rajonale të organizuar në Kosovë për Përmirësimin e Menaxhimit të Borxhit Tatimor. Vetë fakti që këto institucione të respektuara ndërkombëtare po e konsiderojnë Administratën Tatimore të Kosovës si rast studimor për të mirë, tregon për përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin në rritje të këtij institucioni. Prandaj, i përgëzoj që të gjithë ata që kontribuan dhe po kontribuojnë për këtë përparim të vazhdueshëm.
Në të njëjtën kohë i falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, sikurse Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Evropian, Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike, e të tjerë, të cilët me mbështetjen e vazhdueshme janë hisedarë të këtyre zhvillimeve pozitive në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës ka përmirësuar inkasimin e të hyrave. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2022 janë inkasuar 542.8 milionë euro tatime, që paraqesin të hyra rekord. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rritje prej 95.8 milionë euro, apo 21.4%. Ndërsa, në krahasim me planin tonë kemi tejkalim të tij për 33.9 milionë euro, apo 6.7%.
Një ndër reformat më kryesore është edhe ajo për Konsolidimin e Funksionit të Mbledhjes së Borxheve, e cila ka ngritur thelbësisht cilësinë e menaxhimit të borxheve tatimore. Për detajet, besoj se do të t’ju flas në këtë tryezë përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, z. Jim Sorensen, së bashku me UD. Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarë tjerë relevant të Administratës Tatimore të Kosovës.
Kjo performancë pozitive është rezultat i rritjes së disiplinës në administratën tatimore dhe i numrit të inspektimeve në njërën anë dhe i rritjes së asaj që literatura e njeh si morali tatimor në anën tjetër apo motivi për të paguar taksa nga ana e qytetarëve. Sepse kur qytetarët dhe bizneset e shohin se institucionet nuk janë të korruptuara dhe nuk po keqpërdorin dhe po e ruajnë paranë publike, e shpenzojnë me kujdes dhe plan e me llogaridhënie, ata janë më të gatshëm që të paguajnë taksat, të bindur se ato pastaj do të përdoren për të mirën publike nëpërmjet shërbimeve publike.
Bindja e tyre pastaj forcon bindjen tonë që qytetari duhet të jenë në qendër të politikave tona kurse rritja e mirëqenies së tij cak i projekteve dhe i vendimeve tona.
Duke ju përgëzuar për këtë organizim i cili ju mundëson avancim të njohurive dhe praktikave përmes shkëmbimit të ekspertizave ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore, ju uroj punë të mbarë e suksese”, u shpreh kryeministri Kurti./FolDrejt/