Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në konferencën përmbyllëse të Programit kosovaro-zviceran për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale, transmeton Fol Drejt.
Projekti i përbashkët ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të kompanive rajonale të ujit. Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.
Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e kompanive rajonale të ujit, tha kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan, përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.
Sa u përket minoriteteve, kryeministri Kurti theksoi se nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.
Pas 16 viteve mbështetje, Qeveria e Zvicrës ka përmbyllur investimet në infrastrukturë të ujit për të kaluar në mbështetje teknike në menaxhim të burimeve ujore dhe fushave përkatëse.
Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje. Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Ambasador i Zvicrës, z. Thomas Kolly,
Të nderuar zëvendësministër Arifaj, kryetarë të komunave të Prishtinës, Rama, të Shtimes, Aliu, të Kamenicës, Rahimaj, të Obiliqit, Gashi, të Drenasit Lladrovci, të Klinës, Elezaj,
E nderuara deputete dhe kryetare e Komisionit parlamentar të Kuvendit të Republikës, znj. Fitore Pacolli,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar përfaqësues të Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, konsorciumit Dorsch-CDI, përfaqësues të institucioneve, Kompanive Rajonale të Ujit dhe përfitues të projekteve,
Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Andaj, mungesa e qasjes në ujë të sigurt, të mjaftueshëm dhe të përballueshëm, kanalizim dhe higjienë ka efekt shkatërrues në shëndetin, dinjitetin dhe prosperitetin e njerëzve.
Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla. Mungesa e qasjes në ujë të pastër dhe kanalizime ndikon negativisht në sigurinë ushqimore, e dëmton cilësinë e prodhimeve bujqësore e rrjedhimisht e cenon shëndetin e popullsisë dhe mirëqenien e fermerëve.
Pandemia COVID-19 dhe kriza klimatike veçse e kanë rikthyer fokusin dhe e kanë shtuar bindjen se beteja për ujë të pastër, mirë menaxhim të burimeve ujore dhe sisteme funksionale të kanalizimit është më e rëndësishme tash se kurrë më parë.
Uji dhe kanalizimi kanë dimensione të ndryshme gjinore të cilat duhet gjithmonë t’i kemi parasysh. Përvojat e përditshme të burrave dhe grave me ujin dhe higjienën vazhdojnë të jenë shumë të ndryshme. Kur mungon qasja në ujë të pastër dhe higjienë barra më e rëndë bie mbi gratë dhe vajzat, e sidomos tek ato që mbajnë dhe kujdesen për familjet. Zhvillimet dhe përmirësimet gjatë dekadave të fundit në këtë sektor kanë transformuar jetën e miliona grave duke iu mundësuar lirinë, zhvillimin dhe angazhimin aktiv të tyre në tregun e punës.
Qasja në ujë të pastër, kanalizim dhe higjienë janë ndër prioritetet e zhvillimit global dhe përfshihen në Objektivin e 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 6). Objektivi është sigurimi i “ujit të pastër dhe kanalizim për të gjithë” deri në vitin 2030.
Në dhjetëvjeçarin e fundit të përmbushjes së këtij objektivi 26% e popullsisë globale (rreth 2 miliardë njerëz) nuk kanë ende qasje në ujë të pastër, ndërsa 46% e popullsisë globale (rreth 3 e gjysmë miliardë njerëz) nuk ka qasje në kanalizim. Nga të gjithë njerëzit pa qasje në ujë të pijshëm e të sigurt në mbarë botën, 80% jetojnë në zonat rurale. Komunitetet rurale anembanë botës, veçanërisht në shtetet në zhvillim, kanë probleme sa i përket qasjes në ujë të pastër, pavarësisht burimeve ujore që mund të shtrihen përreth tyre.
Në botën bashkëkohore, komunitetet rurale më parë të lëna anash dhe të pazhvilluara po arrijnë me shpejtësi nivelet e zhvillimit me të cilat bota perëndimore është mësuar. Është krejt e qartë se qasja në ujë të pijes dhe të pijshëm dhe në kanalizim është një nga elementet kyç në progresin e komuniteteve rurale.
Kosova, ndonëse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka përvetësuar këtë parim. Qeveria është zotuar që të sigurojë qasje në ujë të pastër dhe sistem të kanalizimit për të gjithë qytetarët e vet pa dallim etnie apo lokaliteti.
Ne po punojmë intensivisht në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm e sidomos objektivit të 6. Ne e kuptojmë rëndësinë e qasjes në ujë të pastër e të sigurt, në kanalizime dhe higjienë, menaxhimin e qëndrueshëm dhe të integruar të burimeve ujore dhe ndërlidhjen midis ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve.
Menaxhimi i qëndrueshëm i ujit dhe sigurimi i qasjes në ujë të pastër dhe në kanalizime janë shtyllat kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe fuqizim të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.
Sot jemi në përfundim të projektit më të gjatë në sektorin e ujërave në Kosovë. Ky projekt ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të Kompanive Rajonale të Ujit.
Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.
Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e Kompanive Rajonale të Ujit.
Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.
Sa i përket minoriteteve, nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.
Qeveria është përjetësisht mirënjohëse për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje. Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë.
Mbetet obligim i ynë që të mirëmbajmë me kujdes investimet e realizuara, si dhe të investojmë tutje në shtrirjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit aty ku ende mungon, në mënyrë që të ndalim përfundimisht derdhjen e ujërave të zeza në pellgjet lumore.
Do të punojmë shumë deri në arritjen e plotë të objektivit 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pra, qasje në ujë të pastër dhe sisteme funksionale për menaxhimin e ujërave të zeza për të gjithë popullatën deri në vitin 2030.