Me rastin e muajit tetor, muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e fushatën ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”.
“Nga të gjitha vdekjet nga kanceri, 1 në 7 vdekje vjen nga kanceri i gjirit. Përderisa shkenca nuk ofron një qasje parandaluese, fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë, me investimet në sistemin tonë shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore”, u shpreh kryeministri.
Si Qeveri, shtoi më tej ai, përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe për trajtimin e kancerit të gjirit, për të gjithë qytetarët, duke siguruar qasje multidiciplinare.
“Në këtë betejë për jetën, Ministria e Shëndetësisë po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kemioterapisë dhe terapisë tabletare në spitale rajonale. Kemi decentralizuar shpërndarjen e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe jemi në përgatitje të decentralizimit edhe të shërbimit të kemioterapisë për të sjellë shërbimin sa me afër qytetarëve. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit”, veçoi kryeministri.
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, mirëpo paraqitet edhe tek burrat, por me shkallë më të ulët të rrezikut, 1 në 100 raste.
Në këta nëntë muaj të vitit 2023, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit.
Kryeministri u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave tona, por edhe burrave e djemve, që të kujdesën për vetën, duke vizituar mjekun e afërt, e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos keni shqetësime.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, u themi se nuk janë vetëm dhe se luftën do ta bëjmë bashkë dhe sëmundjen do ta mposhtim bashkërisht.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit profesor Naser Ramadani, drejtor i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, zotëri Arben Vitia,
Të nderuar zëvendësministra, Dafina Gexha – Bunjaku dhe Arsim Berisha,
I nderuar shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Oleksandr Martynenko,
E nderuara drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Jeta Vita”, znj. Nafije Latifi,
Të nderuar profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të organizatave partnere në luftë kundër kancerit të gjirit,
Të nderuara media të pranishme,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Jam i gëzuar që ndodhem këtu mes jush, për të hapur fushatën e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit një sëmundje të rëndë dhe aq të përhapur jo vetëm në vendin tonë. Jam këtu për të ritheksuar mbështetjen e Qeverisë për të gjitha përpjekjet institucionale dhe shoqërore në zhvillimin e programeve ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit dhe më vjen aq mirë që jemi bashkë në këtë betejë sepse duke qenë bashkë edhe e fitojmë atë.
Nga të gjitha, vdekjen nga kanceri, 1 në 7 vdekje vjen nga kanceri i gjirit. Përderisa shkenca nuk ofron një qasje parandaluese, fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë, me investimet në sistemin tonë shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore.
Me angazhim të përbashkët dhe me vetëdije të ngritur për sëmundjen, mund ta minimizojmë rrezikun. Andaj, në hapje të kësaj fushate ndërgjegjësuese, u bëjmë thirrje grave dhe vajzave, që të kujdesën për vetën, duke vizituar mjekun e afërt, e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos keni shqetësime.
Si Qeveri, përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe për trajtimin e kancerit të gjirit, për të gjithë qytetarët, duke siguruar qasje multidiciplinare.
Vendi ynë ka një shtrirje relativisht të mirë të qasjes së qytetarëve te mjeku familjar, por edhe në kapacitetet ekzaminuese të cilat po shtohen edhe në muajt në vijim.
Në këtë betejë për jetën, Ministria e Shëndetësisë po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kemioterapisë dhe terapisë tabletare në spitale rajonale. Kemi decentralizuar shpërndarjen e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe jemi në përgatitje të decentralizimit edhe të shërbimit të kemioterapisë për të sjellë shërbimin sa me afër qytetarëve. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit.
Edhe ky është një proces reformues shëndetësor në kuadër të programit qeveritar, që synon programe të mirëfillta të screen-ingut, trajtim shëndetësor bashkëkohor, furnizim të qëndrueshëm me barna, decentralizim të shërbimeve onkologjike, si dhe trajnim të profesionistëve shëndetësorë dhe Qendrës për Kujdes Paliativ të përhershëm, një hallkë kjo, e cila ka munguar brenda sistemit tonë shëndetësor.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, mirëpo paraqitet edhe tek burrat, por me shkallë më të ulët të rrezikut, 1 në 100 raste. Në këta nëntë muaj të vitit 2023, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit.
Andaj, në këtë muaj që i përkushtohet ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, u bëj thirrje të gjitha grave dhe vajzave tona, por edhe burrave e djemve, për kujdes ndaj vetës dhe ekzaminim të hershëm, sa më të hershëm. Siç thotë edhe slogani i fushatës: “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë!”.
Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, u themi se nuk janë vetëm. Luftën do ta bëjmë bashkë dhe sëmundjen do ta mposhtim bashkërisht.
Pikërisht bashkësia e sjellë edhe vullnetin edhe optimizmin e nevojshëm për fitore!/FolDrejt/