Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026, organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se orientimi i kësaj qeverisjeje synon të përmblidhet në dy fjalë, me të cilat jemi zotuar para më shumë se dy viteve: punë dhe drejtësi. Punë do të thotë më shumë aktivitet e inovacion ekonomik, arsim më cilësor, më shumë investime të huaja. Drejtësi do të thotë barazi, mirëqenie, siguri e besim në institucione, përcjell Fol Drejt.
Duke folur për hartimin e Strategjisë, ai tha se ka ardhur koha të bëhet një investim serioz edhe në vendin tonë dhe Strategjia Shtetërore për Rini është mjeti; mjeti që do sjell në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre.
“Strategjia Shtetërore për Rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale karshi rinisë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se përmes masave të shumta të Qeverisë, dhe së fundmi programit Superpuna ku mbi 2,000 marrëdhënie pune janë të lidhura në një kohë të shkurtër, punësimi i të rinjve po rritet. Universitetin e bëmë falas për afër 43 mijë studentë dhe kemi ndarë mbi 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit. Këtë vit do ndahen 2 milionë euro për 2,000 bursa vetëm në fushat STEM, pra Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Në shëndetësi, buxheti është 100 milionë euro më shumë këtë vit: 296 milionë euro sot nga 198 milionë euro në vitin 2022.
Kryeministri Kurti, po ashtu tha se janë ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë, rini dhe sport, derisa potencoi se mbështetja për librin në të kaluarën ishte maksimalisht 150 mijë euro në vit, ndërsa sivjet janë ndarë 1 milion euro.
Me këtë rast, kryeministri ka ftuar të rinjtë dhe të rejat ta përqafojnë optimizmin, duke thënë se Kosova kurrë s’ka qëndruar më mirë në indikatorët kyç.
“Pothuajse çdokush që bisedon me këtë gjeneratë të të rinjve, e dinë se shumica prej tyre duan ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin e vet, pranë familjes dhe miqve të tyre. Andaj, qeveria është e tyre dhe po punojmë bashkërisht me ta për transformimin e vendit tonë. Planifikimin e së ardhmes po e bëjmë të mundur përmes të rinjve dhe të rejave tona. Me punë dhe drejtësi, Kosova është e ardhmja për ta, sikurse janë ata e ardhmja jonë dhe e tashmja jonë”, tha ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara znj. Arnhild Spence, Koordinatore e UNKT,
E nderuara shefe e UNDP-së, znj. Maria Suokko,
E nderuara shefe e UNICEF-it, znj. Nona Zicherman,
E nderuara znj. Engji Susuri, konsulentë për zhvillim social,
I nderuari z. Kushtrim Canolli, Zyra për Planifikim Strategjik,
I nderuari z. Imran Rasimi, Departamenti i Rinisë,
Të nderuar kryetarë të komisioneve parlamentare, për punë të jashtme dhe për arsim, Arbëreshë Kryeziu dhe Ardian Gola,
Të nderuar zëvendësministra të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, të Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe të Shëndetësisë, Dafin Gexha,
Të dashur të rinj dhe të reja,
Të nderuar të pranishëm,
Orientimi i kësaj qeverisjeje synon të përmblidhet në dy fjalë, me të cilat jemi zotuar para më shumë se dy viteve: punë dhe drejtësi. Punë do të thotë më shumë aktivitet e inovacion ekonomik, arsim më cilësor, më shumë investime të huaja. Drejtësi do të thotë barazi, mirëqenie, siguri e besim në institucione.
Përmes planifikimit të mirë, duam që realizimi të jetë me kohë dhe efektiv. Planifikimi i mirë është veçanërisht i nevojshëm për zhvillimin e rinisë si një çështje dhe kategori komplekse dhe ndërsektoriale. Takoj të rinj çdo ditë dhe çdonjëri ka ëndrra, mbase po aq sa ka edhe sfida. Të jesh i ri është sfidë në vetvete, prandaj dhe zhvillohen politikat rinore, e jo le t ‘themi politikat për personat në mes-moshë, edhe pse edhe kjo periudhë i ka krizat e veta.
Të jesh i ri është të gjesh veten në tranzicion, nga kujdesi familjar në pavarësim. Në këtë fazë, i riu në një mënyrë kalon në kujdesin e shtetit, që t’i ofrojë një vend pune, qasje në shërbime financiare, në vendbanim të sigurt dhe mundësi për të investuar, kursyer e planifikuar të ardhmen. Në këtë fazë, i riu apo e reja po merr vendimet më të rëndësishme ndonjëherë: çfarë do punojë, ku do banojë dhe kë do ta ketë partner të jetës?
Së dyti, të jesh i ri shpesh është të gjesh veten në disa disavantazhe. Ata disproporcionalisht ndodh që janë më shpesh të papunë, më të ekspozuar ndaj substancave, ndaj presionit në vendin e punës dhe ndaj problemeve mendore. Të rinjtë po ashtu kanë ndryshimet klimatike në horizont, si problem serioz të trashëguar prej brezit aktual, por edhe atyre të mëhershëm.
Por, para se të gjithash, të jesh i ri është të kesh kohë, kreativitet e talent, entuziazëm dhe ide të pafundme. Roli ynë si shtet është t’i mbrojmë nga disavantazhet dhe t’ju ndihmojmë të rinjve që të përdorin avantazhet e tyre. Është ta mbyllim pra hendekun mes talentit dhe mundësive, mes entuziazmit dhe mbështetjes, mes ideve dhe realitetit.
Sot po ndryshon qasja e shtetit karshi rinisë. Politikat, që po dizajnojmë kanë realitetin e Kosovës si kontekst dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, posaçërisht evropiane në qendër.
Një studim i porositur nga Shtëpia e Bardhë gjatë Presidentit Barack Obama, përshkruan se si disavantazhet e të rinjve, si papunësia, kriminaliteti apo abuzimi i substancave, kanë kosto ekonomike signifikante për shtetin. Por, ‘kthimi në investim’ në një të ri ose të re në disavantazh, gjeneron përftime më shumë se sa trefishi i kostos. Kjo tejkalon normat e kthimit në shumë investime të sektorin privat.
Pra, të jesh i ri ose e re ia vlen jo vetëm për të rejën ose të riun, por ia vlen edhe për shtetin e për ekonominë.
Ka ardhur koha të bëhet një investim serioz edhe në vendin tonë dhe Strategjia Shtetërore për Rini është mjeti; mjeti që do sjell në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre. Zgjedhjet vërtetë prodhojnë mandat katër vjeçar, por vizioni dhe planifikimi ynë për këtë investim duhet të jetë më afatgjatë, shumë më afatgjatë. Duhet që të kemi diskutim sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës me të rinjtë, institucionet publike dhe me partnerët tanë.
Strategjia Shtetërore për Rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale karshi rinisë.
Në të kaluarën kemi pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar, e zaten kur ka pak planifikimi zbatimi është i fragmentuar, të pa konsoliduar dhe shpesh kontradiktor. Ato që janë deklaruar si prioritete zakonisht nuk janë financuar dhe as buxhetuar. Por, kjo nuk ndodhë më.
Rezultatet e planifikimit të mirëfilltë shtetëror kanë filluar të shfaqen gjithandej. Për dy vite, ekonomisë sonë i janë shtuar 2.1 miliardë euro. Bruto produkti vendor i Kosovës tash kap përmasën prej 9 miliardë euro. Në të kaluarën, Qeverisë i duheshin 3 vjet për t’ia shtuar ekonomisë 1 miliard euro. Pra, për çdo vit të këtyre dy viteve që jemi në qeverisje, ekonomia është rritur më shumë sesa tri vite të mëhershme marrë së bashku.
Përmes masave të shumta të Qeverisë, dhe së fundmi programit Superpuna ku mbi 2,000 marrëdhënie pune janë të lidhura në një kohë të shkurtër, punësimi i të rinjve po rritet.
Universitetin e bëmë falas për afër 43 mijë studentë dhe kemi ndarë mbi 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit. Këtë vit do ndahen 2 milionë euro për 2,000 bursa vetëm në fushat STEM, pra Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Në shëndetësi, buxheti është 100 milionë euro më shumë këtë vit: 296 milionë euro sot nga 198 milionë euro në vitin 2022.
Ndërkohë, kemi ndarë afër 15 milionë euro për mbështetje direkte në kulturë, rini dhe sport. Mbështetja për librin në të kaluarën ishte maksimalisht 150 mijë euro në vit, ndërsa sivjet ne kemi ndarë 1 milion euro. Filmin e shpallëm sektor të interesit të veçantë publik – e gjetëm me 700 mijë euro, sot kemi 2 milionë euro buxhet.
Po shënojmë progres drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Indeksi i korrupsionit ‘Transparency International’ e ngriti Kosovën për 20 vende për dy vite. Sot, Kosova renditet në pozitën më të lartë ndonjëherë. Indeksi i Lirisë së Mediave ‘Reporterët Pa Kufi’ ngriti Kosovën për 22 vende. Mbi qeverisjen digjitale, Banka Botërore në indeksin e saj ngriti Kosovën nga grupi C në grupin B.
Prandaj, unë kudo që takoj të rinj e të reja, i ftoj ta përqafojnë optimizmin. Kosova kurrë s’ka qëndruar më mirë në indikatorët kyç. Kemi shumë për të bërë, por jemi në rrugën e duhur.
Pothuajse çdokush që bisedon me këtë gjeneratë të të rinjve, e dinë se shumica prej tyre duan ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin e vet, pranë familjes dhe miqve të tyre. Andaj, qeveria është e tyre dhe po punojmë bashkërisht me ta për transformimin e vendit tonë. Planifikimin e së ardhmes po e bëjmë të mundur përmes të rinjve dhe të rejave tona. Me punë dhe drejtësi, Kosova është e ardhmja për ta, sikurse janë ata e ardhmja jonë dhe e tashmja jonë.
Më lejoni të përgëzoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit po udhëheqë procesin, dhe gjithashtu UNKT (në veçanti UNDP, UNICEF, UNFPA dhe IOM) për mbështetjen e këtij procesi, dhe gjithë partnerët tanë për ndihmën e mbështetjen e ofruar në konkretizimin e synimeve tona./FolDrejt/