Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, që për herë të parë organizohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky samit, tha kryeministri në fillim të fjalës së tij, ka për qëllim krijimin e një praktike të mbledhjes së akterëve kryesorë për të diskutuar se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të luftojnë diskriminimin ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, duke bashkëpunuar dhe ndarë praktikat më të mira institucionale, në mënyrë që të rritet mirëqenia e të përmirësohet cilësia e jetës së komuniteteve në vendet e rajonit, transmeton Fol Drejt.
‘’Na duhet angazhim i përbashkët që të gjithë qytetarë tonë, të ndjehen e të jenë pjesë e barabartë, si dhe vlerë e shtuar e shoqërisë’’, u shpreh kryeministri, derisa theksoi se krahas ndërgjegjësimit institucional si pikënisje, na duhet puna e përbashkët edhe me qytetarët.
Më tej, kryeministri veçoi se progresin e zhvillimit të shoqërive tona mund ta matim, jo me atë se sa mirë jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku. ‘’Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, angazhohem për të gjithë njëlloj, por më së shumti për ata që kanë më së shumti nevojë’’.
Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve në vend, sidomos me fokus në grupet më të margjinalizuara të shoqërisë.
Njëkohësisht, kryeministri përmendi ndarjen e bursave për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në fakultet të edukimit, si dhe ndarjen e 500 bursave për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, përveç edukimit.
Po ashtu, theksoi edhe marrjen e vendimit për të themeluar një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike. Sivjet kemi zbatuar edhe programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitetet, që ka dëshmuar se të gjithë përfitojmë nga diversiteti në vendet e punës.
Kryeministri Kurti shprehu garancinë se Qeveria, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, do të qëndrojë krah për krah organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve të të drejtave të njeriut e përfaqësuesve të komuniteteve, në garantimin e respektimin e të drejtave të njeriut. Mbrojtja nga diskriminimi në shtetin tonë, në rajonin e Ballkanit, e më tej, varet drejtpërsëdrejti nga suksesi i përpjekjeve tona të përbashkëta, tha kryeministri.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj.Emilija Rexhepi
I nderuari ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog,
I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Jeffrey Hovenier,
I nderuari ambasador i Zvicrës, z. Thomas Kolly,
I nderuar Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhënien Ndërmjet Bashkësive të Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi,
I nderuari Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave të Malit të Zi, z.Fatmir Gjeka,
E nderuara Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi,
E nderuar zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, znj.Denada Seferi,
Të nderuar anëtarë të kabineteve qeveritare, deputetë, përfaqësues të institucioneve e përfaqësues politikë nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria,
I nderuari z.Isak Skenderi, Drejtor ekzekutiv i organizatës ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptians’,
Te nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave,
zonja dhe zotërinj,
Jam i lumtur që sot po takohemi sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, që për herë të parë organizohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky samit ka për qëllim krijimin e një praktike të mbledhjes së akterëve kryesorë për të diskutuar se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të luftojnë diskriminimin ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, duke bashkëpunuar dhe ndarë praktikat më të mira institucionale, në mënyrë që të rritet mirëqenia e të përmirësohet cilësia e jetës së komuniteteve në vendet e rajonit tonë.
Na duhet angazhim i përbashkët që të gjithë qytetarë tonë të ndjehen e të jenë pjesë e barabartë, si dhe vlerë e shtuar e shoqërisë. Krahas ndërgjegjësimit institucional si pikënisje, na duhet puna e përbashkët edhe me qytetarët. Pra, përgjegjësi institucionale, por edhe vetëdijesim shoqëror. Sot do të flasim e do të dëgjojmë për shembujt e mirë të bashkëpunimit, të cilët duhet t’i ndjekim, duke vepruar aktivisht për përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve tanë, që të çojmë përpara zhvillimet pozitive në aspektin e mbrojtjes, promovimit dhe të zbatimit të të drejtave të komuniteteve, duke qenë të vetëdijshëm se ka ende shumë sfida të shumta, e se gjendja e komuniteteve nuk është e mirë, si nga aspekti i diskriminimit, po ashtu edhe nga ai i varfërisë edhe i mungesës së shanseve në aspektin socio-ekonomik.
Progresin e zhvillimit të shoqërive tona mund ta masim, jo me atë se sa mirë jetojnë ata që kanë më së shumti, sepse ne e dimë që ata që kanë më së shumti, ia bëjnë qarën vetes kollaj e shpejt, por ata, të cilën kanë më së paku. Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie, etnike, feje apo prejardhje, angazhohem për të gjithë njëlloj, por më së shumti e më së pari për ata, të cilën kanë më së shumti nevojë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë përkushtimin e saj për të përmirësuar kushtet socio-ekonomike përmes gjithëpërfshirjes dhe avancimit të drejtave të komuniteteve. Institucionet tona mbeten të përkushtuara dhe të angazhuara për të ofruar mundësi të barabarta, duke ofruar edukim, punësim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale për të gjithë njësoj e pa dallim, sepse shoqëritë tona janë të forta atëherë kur kujdesen për më të ndjeshmit.
Një nga objektivat më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbetet hartimi dhe zbatimi i politikave dhe legjislacionit, që përmirësojnë dhe përmbushin të drejtat e të gjithë qytetarëve në vend, sidomos me fokus grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Po punojmë bashkë për të përmbushur synimet e Programit të Qeverisë, ku prioritet në kuadër të Qëllimeve Strategjike dhe Objektivave Operacionale të Zyrës së Kryeministrit, është edhe përmirësimi dhe avancimin i gjendjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Me këtë qëllim, kemi ndarë bursa për 100 nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultet të Edukimit, në mënyrë që në të ardhmen e afërt në klasat tona anë e mbanë Kosovës të mund të kemi mësuese dhe mësues të komuniteteve, që japin kontributin e tyre për fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Pra, jo vetëm bursa në përgjithësi, por bursa në veçanti për Fakultetin e Edukimit, për ata, të cilët do t’i mësojnë më pas të tjerët.
Gjithashtu, kemi ndarë 500 bursa për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në drejtime të tjera të studimeve, përveç edukimit, por këto 100 janë në mënyrë të posaçme për edukim.
Kemi marrë vendim për të themeluar një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në institucionet publike. Sivjet kemi zbatuar edhe programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitetet, që ka dëshmuar se të gjithë përfitojmë nga diversiteti në vendet e punës.
Edukimi dhe punësimi janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin e motor i integrimit. Jam me shpresë që rritja jonë ekonomike dhe mbështetja e dhënë për edukimin, do t’i japin rrugë ndryshimeve të gjithmbarshme pozitive, të cilat nuk e përjashtojnë, të cilët nuk e lënë asnjëri mbrapa.
Të nderuar të pranishëm,
Një pjesë e konsiderueshme e diskriminimit, ndodhë e përsëritet sepse ngelet në heshtje, nuk lajmërohet, nuk raportohet. Një mekanizëm shumë i vlefshëm yni kundër kësaj, është edhe “Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, e që është lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit. Andaj, ju ftoj që krahas raportimit tuaj, t’i inkurajoni anëtarët e komunitetit tuaj që ta shfrytëzojnë këtë platformë, sepse kjo do të na lehtësonte rrugën drejt zgjidhjeve për çështjet e ngritura nga qytetarët tanë. Barazia e qytetarëve është e garantuar në Republikën e Kosovës. Duke qenë të barabartë, jemi bashkë.
Unë e kuptoj që kemi dallime dhe e pranoj dhe e respektoj dhe e afirmoj diversitetin, mirëpo duhet ta kemi edhe solidaritetin. E solidariteti është solidaritet në përpjekje, nuk është solidaritet statik. Është solidaritet në angazhim e sipër. Ne jemi solidarë me atë që është në betejë, me atë që përpiqet për të drejta e liri e kundër diskriminimit.
Pra, po diversitetit dhe po solidaritetit.
Fakti që njerëzit janë të ndryshëm, nuk do të thotë se s’mund të jenë të barabartë. Të qenit të barabartë nuk lidhet me të qenit identik. Pikërisht pse jemi të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë. Dikush është më i gjatë, dikush është më i shkurtër, dikush është më i pasur, dikush është më i varfër, dikush është fëmijë, dikush është i rritur e dikush në moshë të shtyrë, dikush grua e dikush burrë. Pra, diversiteti është gjithandej. Është vetë pasuria e jetës njerëzore. Mirëpo, ky diversitet duhet të shoqërohet patjetër me solidaritet dhe pikërisht duke qenë të ndryshëm mund, duhet dhe do të jemi të barabartë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
U dëshiroj edhe një herë mirëseardhje në këtë samit, që po realizohet në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. Andaj, në veçanti falënderoj për bashkëpunimin me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, organizatat VORAE, Terre des Hommes, Fondacionin HEKS dhe të gjithë aktivistët e të drejtave të njeriut, që janë sot në këtë sallë dhe ata të tjerët, të cilët na ndjekin virtualisht.
Jam mirënjohës e krenar me përfaqësuesit e komuniteteve, që japin kontribut të vlefshëm në një varg pozitash brenda kabinetit qeveritar dhe komunave tona, në ndërtimin e Kosovës sonë.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju garantoj se Qeveria jonë, me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion, do të qëndrojë krah për krah me juve, në garantimin e respektimin e të drejtave të njeriut. Mbrojtja nga diskriminimi në shtetin tonë, në rajonin e Ballkanit e më tej, varet drejtpërsëdrejti nga suksesi i përpjekjeve tona të përbashkëta.
Uroj që nga ky samit do të dalin propozime e nisma të reja, si dhe bashkëpunimi ynë të jetë sa më i frytshëm, në shërbim të mirëqenies të secilit e secilës qytetare të vendit tonë./FolDrejt/